Parlamenti nuk do të ketë një debat mbi programin qeverisës, të paktën jo së afërmi. Socialistët ndëshkuan demokratët për kaosin në seancën e 18 shtatorit ku nuk lejoi zhvillimin e debatit dhe në tryezën e Konferencës së Kryetarëve vendosën bllokadën për mocionin e kërkuar nga opozita për të folur në një seancë tjetër plenare mbi objektivat e mandatit të katërt. Arsyen për refuzimin, Kreu i Grupit Parlamentar të PS Taulant Balla e lidhi me mosrespektimin e rregullores:
“Rregullorja e Kuvendit përcakton se mocioni me debat thirret për një çështje të veçantë, dhe jemi gjetur para një kërkese që kishte 6 grup-çështjesh. Kërkohej të kishte një mocion me debat për procesin e qeverisjes të 12 viteve të fundit. Kërkohej që të kishte një mocion me debat për programin e qeverisjes të periudhës në vijim dhe pastaj edhe nja 4 çështje të tjera”, tha Balla.
Por Balla i la një shteg të hapur, duke i kërkuar opozitës ta rishkruante sipas rregullave kërkesën me premtimin që mocioni do të mbahet.
“Shpresoj që deri të enjten, kur do të jetë seanca, kolegët deputetë të opozitës ta kenë riformuluar kërkesën, ta sjellë në përputhje me nenin 98 të rregullores dhe do ta miratojmë.”, tha Balla.
Kreut të grupit parlamentar demokrat, Gazment Bardhit iu desh jo më shumë se një orë për të refuzuar ftesën.
“Nuk merrem me zotin Balla, me lojëra, kërkesa është aty, Konferenca e kryetarëve nuk vendos mbi mocionin, cakton datën për debatin.”, theksoi Bardhi.
Sipas tij, kërkesa e opozitës u rrëzua pasi shumica kërkon një parlament memec.
“Është e paimagjinueshme për çdo parlament në vend demokratik, që qeveria t’i ikë debatit për prioritetet e qeverisë. Do të një kuvend pa gojë e pa mendje”, tha Bardhi.
Në konferencën e kryetarëve, me votat e maxhorancës u rrëzua edhe kërkesa për mocion me debat për gjenocidin serb mbi Kosovën, kërkesë e cila vjen në dritën e zhvillimeve të reja nga gjyqi në Hagë i drejtuesve të UÇK, dhe një proteste të paralajmëruar në Tiranë më 17 tetor.