Ende nuk kanë filluar të zbatohet në terren premtimi për garazhin shumëkatësh për 120 automjeteve në lagjen Fushë Topane, pranë parkingut të madh, në rrugen “Nikolla Malashevski” në Çair.
Në programin zgjedhor “Një Zë” 2025-2029 , kryetari i Komunës së Çairit Izet Mexhiti, premtoi se komuna do të angazhohet edhe për ndërtimin e një garazhi montues shumëkatësh në lagjen Fushë Topanë, pranë parkingut të madh në rrugën “Nikolla Mallashevski”.
Sipas këtij premtimi, garazhi shumëkatësh do të ketë kapacitet për parkimin e 120 automjeteve.
Te pjesa zhvillimit të infrastrukturës në faqe 7 thuhet:
“Në bashkëpunim me Qytetin e Shkupit, do të ndërtojmë garazhe montuese shumëkatëshe në lagjen Fushë Topane, pranë parkingut të madh, në rrugën “Nikola Malashevski”. Garazhi montues shumëkatësh do të ketë kapacitet për parkimin e 120 automjeteve. Mjetet për realizimin e këtij projekti do të sigurohen nga thirrja për propozime në kuadër të Programit AA – Projekte infrastrukturore në Komunat për vitin 2026. Buxheti: 25,000,000 denarë. Burimet e financimit: buxheti i Komunës së Çairit dhe buxheti i RMV-së. Afati: viti 2026”.
Por në terren nuk ka ende asnjë punim për këtë projekt.
Lagja Fushë Topane, pranë parkingut të madh, në rrugen “Nikola Malashevski”. Foto nga Portalb.mk
Lagja Fushë Topane, pranë parkingut të madh, në rrugen “Nikola Malashevski”. Foto nga Portalb.mk
Nga Komuna e Çairit thonë se punimet kanë qenë të pezulluara përkohësisht për shkak të kushteve klimatike dhe se rinisja e tyre është planifikuar për muajin mars.
“Ju informojmë se punimet për ndërtimin e garazhit montues shumëkatësh në lagjen Fushë Topanë kanë qenë të pezulluara përkohësisht për shkak të kushteve klimatike, të cilat nuk kanë lejuar zhvillimin normal të punimeve ndërtimore. Rinisja e punimeve është planifikuar për muajin mars, duke përfshirë edhe zonën pranë parkingut të madh në rrugën “Nikolla Malashevski”, thanë nga Komuna e Çairit.
Megjithatë, sipas verifikimeve që Portalb.mk bëri në portalin e prokurimeve publike (E-nabavki), nuk gjetëm asnjë marrëveshje për këtë projekt.
Nga Komuna e Çairit deri në publikimin e këtij teksti nuk u përgjigjën se pse thonë që punimet janë pezulluar kur në terren nuk ka lëvizje dhe pse nuk ka ende marrëvshje ose shpallje për këtë projekt.
Komuna e Çairit paraprakisht theksoi se gjatë vitit 2026, në koordinim me Qytetin e Shkupit, do të vazhdojnë me realizimin e këtij projekti, në përputhje me procedurat ligjore dhe dinamikën e planifikuar.
Në lidhje me këtë çështje pyetëm edhe Qytetin e Shkupit, por deri në publikimin e këtij teksti nuk morëm përgjigje.