Gjykata Kushtetuese ka pezulluar dekretin e Presidentit Bajram Begaj për zgjedhjet e parakoshme të Tiranës të caktuara më datë 9 nëntor.
Vendimi i Kushtetueses vjen pas ankimimit të Erion Veliajt, i cili kërkoi që Dekreti i Presidentit të shpallej i paligjshëm dhe të pezullohej procesi për zgjedhjet në Bashkinë e Tiranës.
Burime për Report Tv bëjnë me dije se vendimi u mor unanimisht nga e gjithë trupa e Gjykatës Kushtetuese.
Kështu, në datë 31 tetor 2025, në Gjykatën Kushtetuese do të mbahet seanca publike për të shqyrtuar kërkesën e Erion Veliajt.
Presidenti Bajram Begaj, më datë 1 tetor 2025, nxorri dekretin për zgjedhje të parakohshme në Bashkinë e Tiranës dhe 5 bashki të tjera të vendit.
Menjëherë, avokatët e Erion Veliajt u vunë në lëvizje dhe të nesërmen bënë shtesë në ankimimin e tyre të mëparshëm, duke kërkuar edhe shpalljen anti-kushtetues të dekretit të Presidentit për zgjedhjet e Tiranës.
Ndërkohë, Veliaj ankimoi në Gjykatë Kushtetuese më 29 shtator vendimin e Këshillit të Ministrave që e shkarkoi nga detyra.
KRONOLOGJIA E NGJARJEVE PËR BASHKINË E TIRANËS:
11 shtator 2025 – Në Asamblenë e PS, Edi Rama i kërkoi Këshillit Bashkiak të Tiranës të niste procedurat për shkarkimin e Erion Veliajt. Ogerta Manastirliu prezantohet si kandidate e PS për kryeqytetin.
17 shtator 2025 – Këshilltarët socialistë të Bashkisë së Tiranës organizojnë mbledhje në selinë e PS për të diskutuar për nisjen e procedurës së shkarkimit të Erion Veliajt. Motivacioni: Aktivizimi i nenit 62 të qeverisjes vendore me mosparaqitjen në detyrë të kryebashkiakut për 3 muaj.
23 shtator 2025 – Këshilli Bashkiak i Tiranës shkarkon Erion Veliajn me 50 vota. Kryebashkiaku Veliaj nuk u lejua të merrte pjesë në mbledhje.
24 shtator 2025 – Prefekti i Tiranës i dërgon Qeverisë propozimin e Këshillit Bashkiak të Tiranës për shkarkimin e Erion Veliajt.
25 shtator 2025 – Këshilli i Ministrave shkarkon nga detyra Erion Veliajn.
29 shtator 2025 – Erion Veliaj ankimon në Gjykatën Kushtetuese vendimin e Qeverisë për shkarkimin e tij si kryebashkiak i Tiranës.
30 shtator 2025 – Qeveria njofton zyrtarisht Presidencën për vakancën e kryetarit të Bashkisë së Tiranës.
1 tetor 2025 – Presidenti Begaj dekreton zgjedhjet e parakohshme për Bashkinë Tiranë më datë 9 nëntor
2 tetor 2025 – Avokatët e Erion Veliajt ankimojnë në Kushtetuese dekretin e Presidentit, kërkojnë pezullimin e zgjedhjeve në Tiranë
9 tetor 2025 – Gjykata Kushtetuese pranon kërkesën e Veliajt dhe rrëzon dekretin e Presidentit duke pezulluar zgjedhjet për Bashkinë e Tiranës
Përse lindi debati kushtetues për Bashkinë e Tiranës?
Debati lindi që prej shkarkimit të Erion Veliajt nga Këshilli i Ministrave si kryetar i Bashkisë së Tiranës. Procesi nisi nga socialistët në këshillin bashkiak të Tiranës me motivacionin e mosparaqitjes në detyrë për 3 muaj.
Kryebashkiaku Erion Veliaj e ankimoi në Kushteteuese vendimin për shkarkimin e tij, që do të thotë se sipas Kushtetutës, Presidenti nuk do të duhej të kishte shpallur dekret për zgjedhjet në Tiranë.
Por pavarësisht kësaj, kreu i Shtetit nxorrit dekretin për zgjedhje të parakohshme në Bashkinë e Tiranës më 9 nëntor, duke argumentuar se shkarkimi i Veliajt për mosparaqitjen në detyrë është çështje administrative dhe jo kushtetuese.
Vetë Veliaj e kundërshtoi këtë dekret në Kushtetuese dhe argument të Presidentit, duke thënë se neni 62, të cilit iu referuan në propozimin për shkarkimin me argumentin se nuk është paraqitur prej tre muajsh në detyrë, nuk mund të zëvendësojë nenin 115 të Kushtetutës ( i cili përcakton se shkarkimi nga Këshilli i Ministrave bëhet për shkelje të rënda të Kushtetutës ose të ligjeve).
Veliaj thekson se shkarkimi mund të merrej vetëm kur të kishte një vendim të formës së prerë, pasi atëherë mund të cilësohej si një shkelje e rëndë e ligjit apo Kushtetutës. Por, në ankim, argumentohet se mosparaqitja e tij në detyrë është “rezultat i një pamundësie objektive”, pasi ndodhet prej 10 shkurtit në paraburgimin e Durrësit.
Ai arsyeton në kërkesën e tij se është Kushtetuta, si akti më i lartë i rendit juridik, ajo që i përcakton shkaqet për të cilat mund të shkarkohet kryetari i bashkisë dhe se Këshilli i Ministrave ka aplikuar një “kriter” të ri, që nuk gjendet në asnjë dispozitë juridike.
Sot, Gjykata Kushtetuese e pranoi ankimimin e Veliajt për Dekretin e Presidentit Bajram, duke rrëzuar këtë të fundit dhe rrjedhimisht pezullohet i gjithë procesi për zgjedhjet e parakohshme në Tiranë. Ky proces do të qëndrojë i pezulluar deri në vendimmarrjen përfundimtare të Gjykatës Kushtetuese që do të përcaktojë nëse shkarkimi nga detyra i Erion Veliajt ishte i ligjshëm ose jo. Në këtë aspekt, zgjedhjet në Tiranë do të mbahen vetëm pasi të jepet ky vendim përfundimtar nga Kushtetuesja.