Mbajtësja e rekordit botëror në maratonë për femra, Ruth Chepngetich, është pezulluar përkohësisht nga Njësia e Integritetit të Atletikës (AIU), pas zbulimit të një substance të ndaluar në trupin e saj.
Në një deklaratë zyrtare të lëshuar së fundmi, AIU njoftoi se një mostër e marrë nga atletja keniane më 14 mars rezultoi pozitive për hidroklorotiazid (HCTZ), një diuretik i ndaluar që mund të përdoret për të fshehur përdorimin e substancave të tjera të ndaluara. Edhe pse fillimisht nuk u pezullua, Chepngetich zgjodhi një pezullim të përkohshëm vullnetar më 19 prill, ndërsa hetimet vazhduan.
Kreu i AIU-së, Brett Clothier, deklaroi se vendimi për pezullimin e përkohshëm u bë publik këtë javë, pas një procesi të thelluar hetimor. Chepngetich ka të drejtë të mbrohet në një seancë përpara Gjykatës Disiplinore.
Chepngetich, 30 vjeçe, bëri histori në tetor të vitit të kaluar në Maratonën e Çikagos, ku vendosi një rekord të ri botëror për femra në distancën 42.2 kilometra me kohën 2:09:56; duke u bërë gruaja e parë që thyen kufirin prej 2 orë e 10 minutash. Në Lojërat Olimpike “Tokio 2020”, të mbajtura në vitin 2021, ajo nuk arriti ta përfundonte garën. Ajo ishte planifikuar të merrte pjesë në Maratonën e Londrës në prill të këtij viti, por u tërhoq për shkak të mungesës së formës optimale.