Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Xhelal Sveçla që po mban postin e ministrit të Punëve të Brendshme, në dy takime rresht që i ka pasur me drejtorin e Policisë së Kosovës, të mërkurën dhe të enjten, i ka kërcënuar deri në pikën sa nuk i ka sharë edhe me nënë.
Burimet i kanë thënë Paparacit se Sveçla ka eskaluar dhe ka humbur kontrollin për shkak se nuk ka pasur informacione për aksionin e madh të Prokurorisë Speciale dhe Policisë që rezultoi me arrestimin e 22 personave për trafikim me drogë.
Këto burime i kanë thënë Paparacit se Sveçla ka qenë shumë i pakënaqur që nuk ka pasur informacione për aksionin në të cilin u arrestua Shemsi Bahtiri, bosi i drogës i afërt me vetë Sveçlën dhe Albin Kurtin.
Gjuha e Sveçlës në këto dy takime ka qenë aq kërcënuese sa i ka paralajmëruar me pasoja policët e Kosovës.
Prokuroria Speciale e ka zhvilluar aksionin e madh në të cilin morën pjesë më shumë se 500 policë, në mënyrë shumë sekrete nga frika se mund të rrjedhin informacione jashtë dhe se dikush mund të ndikojë në aksionin e arrestimeve.
Bahtiri është arrestuar mëngjesin e së martës pas një aksioni të gjerë të Prokurorisë Speciale.
Ai dyshohet se është ‘koka’ e grupit kriminal, që për qëllim kishin transportin e substancave narkotike.
Në bazë të fotografive të anëtarëve të LVV-së, shihet qartë se Bahtiri ishte pjesë e paandashme e kësaj partie.
Vetëvendosje e ka pranuar se Bahtiri ka qenë pjesë e saj.