Një aeroplan ushtarak i Gjermanisë, i nisur nga Berlini në orën 08:40 të mëngjesit, ka devijuar drejt aeroportit të Shkupit, pasi nuk ka mundur të aterrojë në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”.
Lajmin e ka konfirmuar Driton Ujkani nga Agjencia e Shërbimeve të Navigacionit Ajror, ndërsa aeroporti i Prishtinës ka lëshuar një komunikatë zyrtare ku sqaron arsyet teknike të devijimit.
Sipas aeroportit, ANP “Adem Jashari” është i certifikuar sipas standardit ndërkombëtar ICAO Category III B, i cili mundëson aterrim edhe me dukshmëri deri në 50 metra, falë sistemit të avancuar të ndriçimit të pistës dhe pajisjeve të navigimit tokësor (ILS CAT III B).
Megjithatë, që një aterrim i tillë të kryhet, duhet që edhe vetë aeroplani dhe ekuipazhi i tij të jenë të certifikuar për operim në CAT III B.
Në rastin konkret, fluturakja e ushtrisë gjermane nuk ka qenë e certifikuar për operime në CAT III B, dhe si pasojë nuk e ka përmbushur kërkesën teknike për të aterruar në kushte të dukshmërisë së ulët.
Ekuipazhi gjerman kërkonte të paktën 550 metra dukshmëri, kushte të cilat nuk kanë qenë të pranishme në momentin e qasjes në Prishtinë.
Aeroporti i Prishtinës thekson se pamundësia e aterimit nuk ka ardhur si pasojë e kufizimeve të aeroportit, por për shkak të mungesës së certifikimit të duhur të vetë aeroplanit për procedurat CAT III B.
Në fund, aeroporti njofton se të gjitha fluturimet tjera po zhvillohen normalisht dhe pa asnjë problem, pavarësisht kushteve të ulëta të dukshmërisë.