Partizani ka një lider të vjetër, që është i ri për skuadrën aktuale. Bëhet fjalë për Xhuliano Skukën, që tashmë i është dhënë shiriti i kapitenit. Marçelino Preka i dha me besim shiritin sulmuesit dibran para ndeshjes me Kaljun. Kjo zgjedhje është pranuar nga gjithë skuadra. Dhe rikthimi i Skukës me fanellën e Partizanit, e pa atë duke shënuar gol në barazimin 1 me 1.
26-vjeçari tregoi grintë në Talin. Jo vetëm që shënoi gol të rëndësishëm falë edhe këmbënguljes, por edhe drejtoi skuadrën si lider. Marrëdhënia e tij me tifozët po ashtu tregohet mjaft e mirë, që prej vitit 2022. Goli, puthja e stemës së Partizanit dhe festa me tifozët tregojnë se Skuka është serioz me përgjegjësinë e re.
Kjo është hera e tretë ndërkohë, që Skuka vesh fanellën e Partizanit. 29 gola të shënuar dhe 11 asiste të dhuruar në 66 ndeshje, janë statistika që tregojnë shumë për të. Skuka është futbollisti që ka shënuar më tepër në Partizanin aktual.
Zyrtarizimi i parë në merkaton e verës e tregon atë edhe si shpresë për këtë sezon. Tashmë ka kontratë 3-vjeçare. Dhe, për më tepër, te Partizani nuk mbërrin vetëm për t’u rikthyer në formën e tij më të mirë, por edhe për të kontribuar në një Partizan sa më kompetitiv.