Vllazninë e pret sonte përballja tejet delikate kundër Vikingur, e vlefshme për turin e dytë të Conference League. Islandezët të cilët konsiderohen super favorit duhet të përmbysin humbjen 1-2 të pësuar një javë më parë në Shkodër. Ndeshja në Rekjavik do të nisë në orën 20:45, ndërsa ish-lojtari i skuadrës shkodrane Xhevahir Sukaj mendon se koeficientët nuk paraqesin realitetin.
“Është moment shumë i rëndësishëm për ekipin sepse unë mendoj se përballë nuk kemi kundërshtarë të fortë. Pika e tyre më e mirë është se janë në aktivitet të vazhdueshëm. Ky është plus pasi nuk kanë asnjë element tjetër më shumë se ne,”-u shpreh Xhevahir Sukaj, ish-futbollist i Vllaznisë.
Po në orën 21:00, por në stadiumin Elbasan Arena, Dinamo do të presë Atletic D’Escaldes për ndeshjen e kthimit të turit të dytë të Conference League. Nëndetësja shihet si favorite pas fitores 1-2 me përmbysje në Andora, ndërsa trajneri Daja pohon se nuk kanë bërë asnjë llogari veçse triumfit.
“Asnjëherë nuk jam përgatitur për penalltitë edhe kur kam drejtuar ekipet e tjera. Nuk dua ta çoj psikologjikisht ekipin drejt një rezultati që të dërgon te penalltitë,”-tha Ilir Daja, trajner i Dinamos.
Më e lehtë parashikohet ndeshja e kthimit për Egnatian. Pas fitores 0-2 në transfertë kampionët e Shqipërisë presin në Rrogozhinë në orën 21:00 Dinamon e Minskut.
“Nuk është fytyra e vertetë e Dinamos që pamë në Bjellorusi sepse është një ekip me shumë cilësi. Nuk kanë asgjë për të humbur në këtë ndeshje dhe për këtë arsye ne duhet të marrim masat tona,”-deklaroi Edlir Tetova, trajner i Egnatias.
Si për Egnatian, ashtu edhe për Dinamon dhe Vllazninë, nëse kualifikohen, do të ishte hera e parë që marrin pjesë në turin e tretë të Conference League.