Në korrik të vitit 1995, forcat serbe të Bosnjës vranë mbi 8 mijë burra dhe djem myslimanë në enklavën e Srebrenicës, që ishte caktuar si “vend i sigurt” nga Kombet e Bashkuara.
Më 9 korrik 1995, udhëheqësi atëhershëm serbëve, Radovan Karadziç lëshoi një urdhër të ri për të pushtuar Srebrenicën. Trupat rrethuan enklavën dhe sulmuan paqeruajtësit holandezë duke marrë peng 30 prej tyre.
Një ditë më pas, më 10 korrik, ushtarët serbë të Bosnjës filluan të bombardojnë Srebrenicën. Forcat holandeze kërcënuan serbët se do të kishte goditje ajrore të NATO-s, nëse nuk tërhiqeshin deri në mëngjes.
Dhe të nesërmen, avionët e NATO-s bombarduan tanket serbe jashtë Srebrenicës. Forcat serbe kërcënuan të rifillonin bombardimin dhe të vrisnin ushtarët e kapur holandezë. Goditjet ajrore u ndalën dhe në mbrëmjen e 11 korrikut, komandanti i serbëve të Bosnjës, gjenerali Ratko Mlladiç hyri në Srebrenicë.
Rreth 30 mijë refugjatë myslimanë u grumbulluan rreth bazës së paqeruajtësve holandezë në Potoçari, në veri të qytetit të Srebrenicës, pasi forcat serbe të Bosnjës morën nën kontroll zonën e sigurt.
Mlladiç u përpoq t’i qetësonte duke u thënë se nuk kishin pse të kishin frikë. Forcat serbe të Bosnjës i futën refugjatët e frikësuar nëpër autobusë, për kinse të largoheshin. Shumë nga refugjatët u evakuuan në Kladanj, 50 kilometra larg dhe prej andej filluan të ecnin për të gjetur një strehë të sigurt.
Kombet e Bashkuara vunë re se shumica e refugjatëve që mbërrinin nga Srebrenica ishin gra, fëmijë dhe të moshuar dhe filluan të shqetësohen për fatin e burrave.
Rreth 15 mijë ushtarë dhe civilë myslimanë të Bosnjës u larguan natën nga Srebrenica duke u përpjekur të arrinin në territor të kontrolluar nga myslimanët. Shumë vdiqën nga bombardimet dhe goditjet e snajperëve.
Gjatë javës pasoi rënia e Srebrenicës, rreth 8 mijë burra dhe djem mendohet se u vranë nga serbët e Bosnjës dhe u varrosën në varre masive.
Edhe pas më shumë se dy dekada pas vrasjeve, ende vazhdojnë të gjenden varre masive. Identifikimi i viktimave është i vështirë, pasi trupat ishin copëtuar nga ekskavatorët që i hidhnin në varre.
Çdo vit më 11 korrik, eshtrat e atyre që identifikohen gjatë vitit të fundit varrosen në Qendrën përkujtimore të Potoçari.
Begaj përkujton gjenocidin e Srebrenicës: 30 vite nga masakra më e rëndë në Evropë pas Luftës së Dytë Botërore

Presidenti Bajram Begaj përkujtoi sot 30-vjetorin e gjenocidit të Srebrenicës, duke e cilësuar atë si masakrën më të rëndë që ka njohur Evropa pas Luftës së Dytë Botërore.
Në një mesazh të ndarë në rrjetet sociale me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Reflektimit dhe Përkujtimit të Gjenocidit në Srebrenicë, Presidenti Begaj nënvizon se mbi 8 000 boshnjakë u masakruan nga ushtria serbe dhe mijëra të tjerë u dëbuan nga shtëpitë e tyre.
“Jemi pranë familjeve që vijojnë të mbajnë dhembjen e thellë për njerëzit e tyre të dashur, viktima të këtij gjenocidi,” shkruan Presidenti Begaj, duke shtuar se Srebrenica, edhe pas tre dekadash, mbetet një kujtesë e gjallë për domosdoshmërinë e veprimit të përditshëm në shërbim të paqes.
30-vjet nga masakra e Srebrenicës, Hasani: Nuk mund të ketë pajtim pa të vërtetën, dhe as paqe pa drejtësi

Foto:Igli Hasani
Gjatë një vizite njëditore në Bosnjë dhe Hercegovinë, Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, Igli Hasani, mori pjesë në ceremoninë përkujtimore të 30-vjetorit të gjenocidit të Srebrenicës – një nga ngjarjet më të rënda të historisë së afërt evropiane, ku mbi 8,000 burra dhe djem boshnjakë u vranë nga forcat serbe në korrik 1995, në një zonë të shpallur të sigurt nga Kombet e Bashkuara.
“Nuk mund të ketë pajtim pa të vërtetën, dhe as paqe pa drejtësi. Sot në Srebrenicë, Bosnjë dhe Hercegovinë, kujtojmë 30-vjetorin e një prej kapitujve më të errët të historisë së afërt të Evropës – Gjenocidin e Srebrenicës. Përkujtimi i kësaj dite është një mënyrë për të nderuar viktimat dhe për të qëndruar pranë atyre që ende mbajnë peshën e kësaj humbjeje. Na kujton gjithashtu përgjegjësinë tonë të përbashkët për të përballuar të kaluarën me ndershmëri dhe për të mbrojtur vlerat e dinjitetit njerëzor, drejtësisë dhe paqes. Shqipëria qëndron në solidaritet me Bosnjë dhe Hercegovinën – për kujtesën, për të vërtetën dhe për një të ardhme pa urrejtje e ndarje”, shprehet Hasani
Ministri Hasani zhvilloi takime me homologun e tij, Elmedin Konaković, Ministër i Punëve të Jashtme të Bosnjë dhe Hercegovinës, si dhe me Amer Kapetanović, Sekretar i Përgjithshëm i Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal. Bisedimet u përqendruan në zhvillimet më të fundit në rajon dhe në avancimin e agjendës evropiane të Ballkanit Perëndimor.