Si sot para 34 vitesh (8 gusht 1991) nisi një ëndërr. Shqiptarët lanë atdheun dhe u nisën drejt brigjeve italiane. E ardhmja ishte e pasigurt, por shpresat ishin të mëdha.
Anija ‘Vlora’ mbërriti në portin e Barit, ndërsa sipër mbante mbi 20 mijë shqiptarë. Për një kohë të gjatë, rreth 45 vjet, Shqipëria kishte mbetur e mbyllur brenda kufijve të saj, pa mundësinë më të vogël të hapjes, dijes apo marrëdhënieve kulturore e njerëzore jashtë mureve të Bllokut Komunist.
E megjithatë, ajo ishte përballë Italisë, motrës më të madhe dhe të lirë. Pas rënies së komunizmit, të detyruar nga kushtet e dëshpëruara social-ekonomike, shqiptarët sfiduan vdekjen në kërkim të fatit të tyre, pa asnjë siguri, por me dijen se diku duhej të trokitnin.
Ndonëse emigrantët shqiptarë udhëtuan për një të ardhme më të mirë, ata u mbyllën fillimisht në stadiumin e vjetër ‘Della Vittoria’, ndërsa më pas u riatdhesuan për në Shqipëri.
Por, pavarësisht këtij fakti jo të gjithë shqiptarët u kthyen në Shqipëri. Emigrantëve ushqimi u dërgohej me helikopter, ndërsa nuk mungonin rastet kur shqiptarët përlesheshin me policinë, pasi tentonin të dilnin prej aty.
Brenda dy javësh, shqiptarët u dërguan përsëri në Shqipëri me anije dhe aeroplanë. Sipas shifrave të asaj kohe, në vendin tonë u riatdhesuan 17 mijë e 400, ndërsa në Itali mbetën 1.500 vetë që kishin paraqitur kërkese për strehim politik.
Anija e tejmbushur, ku njerëzit vareshin ku të mundeshin, deri tek shtiza e flamurit, është tabloja që kujtohet edhe sot.