Gjykata Komerciale e Kosovës, Dhomat e Shkallës së Parë, ditën e djeshme ka marrë vendim për të pezulluar vendimin e Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRrE) që parashihte daljen e bizneseve në tregun e lirë të energjisë elektrike.
“APROVOHET pjesërisht si i bazuar propozimi i paditësit “PROEX” Sh.p.k., për caktimin e masës së sigurisë dhe PEZULLOHET ekzekutimi i pikës IV i vendimit Nr.275/24 të datës 05.04.2024 dhe në tërësi Njoftimi i datës 12.03.2025, të nxjerra nga Zyra e Rregullatorit për Energji, derisa sa ky aktgjykim ta marrë formën e prerë”, u tha në vendim.
Gjykata gjithashtu ka urdhëruar pezullimin e zbatimit të këtyre vendimeve deri në një vendim përfundimtar.
Ndërkohë po ditën e djeshme, Zyra e Rregullatorit të Energjisë ka paparalajmëruar se deri ditën e sotme (31 korrik), të gjitha bizneset në Kosovë me mbi 50 punëtorë, ose qarkullim vjetor mbi 10 milionë euro, që nuk kanë lidhur kontratë me ndonjë furnizues të licencuar të energjisë elektrike, do të mbesin pa rrymë.
Oda Ekonomike e Kosovës, në një reagim ka thënë se Gjykata Komerciale e ka anuluar në tërësi njoftimin e Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRRE) për daljen në treg të hapur të bizneseve me mbi 50 punëtorë ose mbi 10 milionë euro qarkullim në vit.
Kjo Odë i ka bërë thirrje ZRRE-së për anulimin e vendimit.
“Oda Ekonomike e Kosovës i bën thirrje ZRRE-së për anulimin e vendimit. Me aktgjykimin e fundit të datës 29.07.2025, KA.nr.301/25, Gjykata Komerciale e Kosovës, Dhomat e Shkallës së Parë, Departamenti për Çështje Administrative, ka anuluar në tërësi njoftimin e Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRrE) të datës 12.03.2025, përmes të cilës janë njoftuar kompanitë për kalimin e detyrueshëm në tregun e hapur të energjisë elektrike”, thuhet në njoftimin e Odes Ekonomike të Kosovës (OEK).
Edhe Oda Ekonomike Amerikane i ka bërë thirrje ZRRE-së të shfuqizojë menjëherë vendimin për liberalizimin e tregut të energjisë.
“Aktgjykimi i Gjykatës Komerciale jo vetëm që pezullon ekzekutimin e njoftimit për liberalizimin e tregut të energjisë deri në një vendim të ri lidhur me ankesën, por edhe nënvizon mangësitë serioze në veprimet e ndërmarra nga rregullatori. Ky zhvillim mbështet qëndrimin e komunitetit të biznesit dhe të Odës Amerikane për domosdoshmërinë e respektimit të standardeve të sigurisë juridike dhe përfshirjes së të gjitha palëve të interesuara në procese kaq të rëndësishme për ekonominë e vendit. Pasiguria e krijuar nga ky proces ka cenuar thellësisht operimin e bizneseve, duke ndikuar në planifikimin e tyre strategjik dhe duke minuar besimin në sistemin rregullativ”.
“Reformat në sektorë kritikë si energjia duhet të ndërtohen mbi parimet e transparencës, dialogimit gjithëpërfshirës dhe trajtimit të barabartë. Oda Ekonomike Amerikane bën thirrje për një rifillim të menjëhershëm të dialogut të strukturuar mes Qeverisë së Kosovës, ZRRE-së dhe komunitetit të biznesit, në mënyrë që çdo hap i ardhshëm të jetë në përputhje me ligjet në fuqi, praktikat më të mira ndërkombëtare dhe nevojat reale të ekonomisë”, thuhet në njoftimin e Odës Ekonomike Amerikane.
E deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami se nëse vendimi nuk pezullohet sot, atëherë Prokuroria do të duhej të shkojë në zyrat e ZRRE-së.
“ZRrE-ja duhet ta pezullojë vendimin për përjashtimin e rreth 1300 bizneseve nga shërbimi universal i furnizimit me energji elektrike, në përputhje me vendimet e Gjykatës, deri në vendimin përfundimtar”, ka thënë Bajrami në një postim në rrjetin social Facebook.
“Përndryshe, nesër, para datës 1 gusht, Prokuroria duhet të zbarkojë në zyrën e ZRrE-së dhe t’i pyesë: për interesat e kujt po punojnë ata aty?”, ka shkruar ajo mbrëmë.
Vendimi i ZRRE-së për liberalizimin e tregut të energjisë ka hyrë në fuqi më 1 qershor. Sipas vendimit, të gjitha kompanitë që kanë më shumë se 50 punëtorë ose qarkullim mbi 10 milionë euro në vit u detyruan të kalojnë në tregun e hapur të energjisë nga 1 qershori.
Aktualisht, kompanitë e mëdha private po furnizohen nga Korporata Energjetike e Kosovës (KEK), e cila po vepron si Furnizues i Mundësisë së Fundit (FMF).
Ky furnizim është i përkohshëm, nuk mund të zgjasë më shumë se 60 ditë dhe ofrohet me çmime më të larta sesa ato të tregut mesatar.