>Në Gjykatën Themelore në Prishtinë – Dega në Lipjan, sot pritet të mbahet seanca dëgjimore për caktimin e masës së sigurisë ndaj pesë zyrtarëve policorë të cilët gjenden nën masën e ndalimit si të dyshuar për “Vrasje nga pakujdesia” të të riut Agon Zejnullahu në Lipjan, shkruan gazeta online Reporteri.net.
Avokati i familjes Zejnullahu, Asdren Hoxha, ka thënë mbrëmë se seanca do të mbahet në ora 10:30, në degën e Gjykatës në Lipjan.
Rasti që ndodhi në orët e para të 7 korrikut në Lipjan ka ngjallur reagime të shumta në vend dhe thirrje për transparencë, përgjegjësi institucionale dhe hetim të pavarur.
Policia tha se i ndjeri, i cili u identifikua më vonë si Agon Zejnullahu, dyshohet se ishte nën ndikimin e alkoolit dhe duke sulmuar automjete e kalimtarë, kur u ndalua nga autoritetet e rendit.
Lidhur me rastin, pesë zyrtarë policorë janë ndaluar për 48 orë nën dyshimin për “Vrasje nga pakujdesia”, ndërkaq Inspektorati Policor i Kosovës ka rekomanduar suspendimin e tyre.
Prokuroria Themelore e Prishtinës ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit ndaj pesë policëve të dyshuar.
Avokati i Popullit ka njoftuar se ka nisur hetimet për të vlerësuar nëse ka pasur shkelje të të drejtave të njeriut në këtë rast.
Agon Zejnullahu, vëllai i të ndjerit ka thënë mbrëmë se viktima kishte shenja dhune me mbi 20 plagë në trup.
“Mbi 20 plagë mbi trupin e tij, te brinjët ka qenë i mavijosur, ka pasur lëndim të theksuar në ballë, vetullën e çarë, te këmbët komplet të lënduara, te krahët mishi jashtë ka qenë, në çdo pjesë të trupit ka pasur lëndime”, tha vëllai i 27-vjeçarit./Reporteri.net/
Pamje tjera, momenti kur Agon Zejnullahu del nga vetura me duar pas kokës, policët i gjuhen sipër

Janë publikuar pamje të tjera të momentit kur Agon Zejnullahu del nga vetura me duar pas kokës, ndërsa policët i gjuhën sipër.
27-vjeçari vdiq të hënën në Lipjan, pasi është ndaluar nga zyrtarët policorë.
Pamjet e reja janë publikuar nga faqja në Facebook “Lipjan City”.
Në Gjykatën Themelore në Prishtinë- Dega në Lipjan, nesër pritet të mbahet seanca dëgjimore për caktimin e masës së sigurisë ndaj pesë zyrtarëve policorë të cilët gjenden nën masën e ndalimit si të dyshuar për “Vrasje nga pakujdesia” të të riut Agon Zejnullahu në Lipjan.
“Brinjë të mavijosura, vetull e çarë dhe lëndime të rënda në krah”, vëllai tregon për gjendjen e trupit të Agon Zejnullahut

Vëllai i Agon Zejnullahut ka rrëfyer me lot në sy për gjendjen e trupit të të ndjerit, të cilin familjarët e panë pas vdekjes.
Sipas tij, shenjat e dhunës ishin të dukshme dhe se kishte mbi 20 plagë.
Ai në në T7 tha se të dy brinjët kanë qenë krejtësisht të mavijosura.
“Mbi 20 plagë mbi trupin e tij, te brinjët ka qenë i mavijosur, ka pasur lëndim të theksuar në ballë, vetullën e çarë, te këmbët komplet të lënduara, te krahët mishi jashtë ka qenë, në çdo pjesë të trupit ka pasur lëndime”, tha vëllai i 27-vjeçarit.
Grafite proteste në Lipjan pas vdekjes në duart e Policisë të Agon Zejnullahut: “Policia të vret”, “Kush na mbron prej Policisë?

Pas vdekjes së 27-vjeçarit Agon Zejnullahu në duart e Policisë së Kosovës, muret e stacionit policor në Lipjan janë mbushur me grafite proteste, që shprehin revoltën dhe shqetësimin e qytetarëve.
“Policia e Kosovës të ndrydh derisa të vret”, “Policia i ka duart me gjak”, “Policia të vret”, dhe “Kush na mbron prej Policisë?” janë disa nga mbishkrimet që janë shkruar nga Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist në ndërtesën e policisë.
“Parëmbrëmë, disa policë e arrestuan dhunshëm dhe e vranë Agon Zejnullahun në mes të Lipjanit. Brutaliteti policor që e la pa frymë Agonin nuk ishte shpërdorim i izoluar i forcës dhe pushtetit, por një normë e cila e përshkon raportin që institucioni i policisë ka krijuar me civilët/et. Brutaliteti është qenësor në ekzistencën dhe funksionin e policisë. Ndërveprimi përmes dhunës, frikësimit, dehumanizimit, shqetësimit e tentativës për kontroll është rutinore për shumë prej nesh që ndeshemi me këtë institucion.”, thuhet në njoftimin e tyre.
Sipas tyre ekspozimi tronditës i kësaj dhune “që la të vrarë Agon Zejnullahun përveç që pahëson natyrën e dhunshme të policisë, është edhe një moment kritik për ndërgjegjen kolektive”
“Vrasja e tij, tashmë e regjistruar edhe vizualisht në kujtesën tonë, duhet të na bëjë të lëvizim, të organizohemi dhe t’i kundërvihemi dhunës e cila asnjëherë nuk është e rastësishme dhe e izoluar. Thërrasim në mobilizim shoqëror për siguri të gjithësecilës e secilit prej nesh, dhe për të kërkuar drejtësi post-mortum për Agonin.” bëhet thirrje tutje.
“Oj nanë… lshomni, nuk po muj ma” vëllai i Agonit tregon se cilat ishin fjalët e fundit të tij

Agon Zejnullahu para se të vdiste kishte kërkuar nga policët ta lëshonin duke thënë “s’po muj ma”.
Kështu rrëfeu në T7, vëllai i Agonit, Albani.
Ai tha se fjalët e fundit të vëllait të ndjerë ishin:
“Disa nga fjalët e tij janë, lëshomni, çka jeni t’u më ba. S’po muj ma dhe bërtet në fund oj nanë”, tha mes lotësh Albani.
Avokati i njërit prej policëve të arrestuar: Agon Zejnullahu nuk ka vdekur nga

Pas arrestimit dhe caktimit të masës së paraburgimit ndaj pesë zyrtarëve policorë të përfshirë në rastin që përfundoi me vdekjen e 27-vjeçarit Agon Zejnullahu në Lipjan, njëri nga avokatët mbrojtës, Urim Vokshi, ka dhënë një version tjetër të ngjarjes.
Në një deklaratë për rtv Dukagjini, Vokshi mohoi se vdekja e Zejnullahut ka ardhur si rezultat i veprimeve të zyrtarëve policorë dhe theksoi se viktima kishte sjellje agresive si ndaj qytetarëve ashtu edhe ndaj policisë, pa ndonjë arsye të qartë.
“Përveç që ka sulmuar shumë qytetarë, ka sulmuar edhe policinë, pa qenë i preokupuar, pa pasur asnjë arsye. Edhe derisa policia ishte duke vozitur veturën, ai reagonte me sprej. Kur ndalet vetura, ai përsëri tenton ta sulmojë policinë,” tha Vokshi.
Ai shtoi se pas incidentit fillestar, Zejnullahu ishte futur vetë në veturën e policisë dhe kishte qëndruar aty për më shumë se tetë minuta, pa ndonjë dhunë apo presion nga zyrtarët policorë.
“Sipas deklaratave të policëve, ata vetëm kanë biseduar me të dhe i kanë thënë se autoambulanca ishte në rrugë. Duket se i ndjeri ka qenë nën ndikimin e substancave të caktuara. Më pas, ai del vetë nga vetura dhe tenton të ikë. Zyrtarët e ndalojnë për ta prangosur dhe qëndrojnë mbi të vetëm për kohën sa po e prangonin. Nuk ka pasur presion të zgjatur,” ka deklaruar Vokshi.
Ai përfundoi se sipas tij, Agon Zejnullahu nuk ka ndërruar jetë si pasojë e veprimeve të policisë.
Rasti ka shkaktuar reagime të shumta në opinion, me thirrje për transparencë të plotë, ndërsa institucionet janë duke zhvilluar hetimet për të sqaruar rrethanat e vdekjes së të riut.
Pesë policët e dyshuar për vrasjen nga pakujdesia të Agon Zejnullahut nesër dalin para gjyqit për masë të sigurisë

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë- Dega në Lipjan, të mërkurën pritet të mbahet seanca dëgjimore për caktimin e masës së sigurisë ndaj pesë zyrtarëve policorë të cilët gjenden nën masën e ndalimit si të dyshuar për “Vrasje nga pakujdesia” të të riut Agon Zejnullahu në Lipjan.
Kështu konfirmoi për “Betimi për Drejtësi“, Mirlinda Gashi, zëdhënëse e Gjykatës Themelore në Prishtinë.
“Ju njoftojmë se Gjykata Themelore në Prishtinë – Dega në Lipjan sot ka pranuar kërkesën për caktim të masës së paraburgimit në çështjen penale ndaj pesë të pandehurve. Seanca dëgjimore është caktuar të mbahet nesër me datë 09.07.2025 në ora 10:30”, thuhet në përgjigje.
Ndryshe, Prokuroria Themelore në Prishtinë ka paraqitur kërkesë në Gjykatën Themelore në Prishtinë- Dega në Lipjan, për caktimin e masës së paraburgimit ndaj pesë zyrtarëve policorë.
I riu në Lipjan vdiq në orët e para të së hënës (7 korrik) pasi u arrestua nga policia nën dyshimin se në gjendje të dehur po sulmonte automjete e kalimtarë. Lidhur me rastin, pesë zyrtarë policorë janë ndaluar për 48 orë nën dyshimin për “Vrasje nga pakujdesia”, ndërkaq Inspektorati Policor i Kosovës ka rekomanduar suspendimin e tyre.
Avokati i Popullit ka njoftuar se ka nisur hetimet për të vlerësuar nëse ka pasur shkelje të të drejtave të njeriut në këtë rast.
Për rastin reagoi edhe ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, cili ka thënë se kushdo që rezulton fajtor për vdekjen e të riut në Lipjan i cili ndërroi jetë pas arrestimit, duke të marrë dënimin e merituar.
Kurse, ministrja në detyrë e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka thënë se dje (e hënë) është kryer autopsia e të ndjerit Agon Zejnullahu, por që raporti preliminar i këtij rasti ende nuk është dërguar nga Instituti i Mjekësisë Ligjore.
Haradinaj reagon pas vdekjes së 27-vjeçarit në duart e Policisë: E paskeni vrarë me gjakftohtësi

Rasti i vdekjes së një të riu 27-vjeçar në Lipjan, i cili ndërroi jetë gjatë ndërhyrjes së Policisë së Kosovës, po vazhdon të ngjallë reagime të forta në opinion dhe në radhët e politikës.
Derisa hetimet janë duke u zhvilluar për të sqaruar rrethanat e ngjarjes, përflitet se shkak i mundshëm i vdekjes mund të ketë qenë ngufatja, megjithëse kjo nuk është konfirmuar zyrtarisht.
Lidhur me rastin ka reaguar edhe deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Daut Haradinaj, i cili ka ndarë një reagim të shkurtër dhe të ashpër pas shikimit të pamjeve nga momenti i ndërhyrjes policore.
“I pashë pamjet e fundit! E paskeni vrarë me gjakftohtësi djalin 27-vjeçar. S’kam koment,” ka shkruar Haradinaj.
Pesë zyrtarë policorë të përfshirë në këtë rast janë ndaluar për 48 orë, ndërsa Inspektorati Policor i Kosovës, bashkë me Prokurorinë, po zhvillojnë hetimet për të zbardhur në detaje shkaqet e vdekjes së të riut.
Ngjarja ka nxitur reagime të shumta në publik dhe thirrje për transparencë, përgjegjësi institucionale dhe hetim të pavarur.
“Vrasja nga pakujdesia” e 27-vjeçarit në Lipjan, Hykmete Bajrami: Të zhvillohet hetimi pa vonesë

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hykmete Bajrmai, ka shprehur ngushëllime për vdekjen e 27-vjeçarit Agon Zejnullahu.
Ajo ka thënë se është thelbësore që hetimi të zhvillohet pa vonesë.
Zejnuallahu vdiq pasi paraprakisht ishte në duart e Policisë së Kosovës.
“Shpreh ngushëllimet më të sinqerta për familjen Zejnullahu dhe për gjithë qytetarët e Kosovës për vdekjen e Agonit! Prokuroria dhe Inspektorati Policor duhet ta hetojnë plotësisht këtë rast – të gjitha rrethanat dhe pistat e mundshme, dhe të ndriçojnë deri në detaje rastin e vdekjes së 27-vjeçarit. Është thelbësore që hetimi të zhvillohet pa asnjë vonesë”.
“Policia e Kosovës dhe Inspektorati Policor, duhet të garantojnë zbatimin e standardeve profesionale dhe respektimin e ligjit në çdo rast të ndalimit apo trajtimit të qytetarëve. Përveç përgjegjësisë individuale, duhet të ketë edhe përgjegjësi politike, deri te deputeti Kurti, i cili vazhdon të mbajë pozitën e kryeministrit në kundërshtim me ligjin. Ne kemi përkrahur dhe do të përkrahim kërkesat e ligjshme të Policisë së Kosovës për kushte më të mira pune dhe mbështetje institucionale, por njëkohësisht do të kërkojmë llogari dhe zbatim të ligjit”, ka thënë Bajrami.
Familjarë e qytetarë ndezin qirinj në Prishtinë për 27 vjeçarin që dyshohet se u vra nga dhuna policore

Me lot në sy, dhimbje në zemër dhe fotografinë e tij në duar, familjarë, miq dhe qytetarë të shumtë janë mbledhur mbrëmjen e së martës para Teatrit Kombëtar të Kosovës për të nderuar kujtimin e Agon Zejnullahut, 27-vjeçarit nga Lipjani që vdiq në duart e Policisë së Kosovës.
Në heshtje, me qirinj të ndezur të pranishmit i dhanë zë dhe fytyrë dhimbjes së një familjeje dhe një shoqërie që kërkon përgjegjësi për dhunën policore, shkruan Reporteri.net.
Agon Zejnullahu vdiq në duart e policëve të Kosovës të hënën në Lipjan.
Tashmë ndaj 5 policëve të dyshuar për vrasjen nga pakujdesia është kërkuar caktimi i masës së paraburgimit, pas arrestimit të tyre dje.