Sot fillon Forumi i Paqes të Parisit, i cili është një ngjarje ndërkombëtare vjetore që mbahet në Paris, e krijuar për të promovuar bashkëpunimin global dhe qeverisjen shumëpalëshe përballë sfidave botërore.
Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka udhëtuar dje për në kryeqytetin e Francës, ku do të marrë pjesë në Forumin e Paqes në Paris, me ftesë të Presidentit francez, Emmanuel Macron.
Gjatë qëndrimit në Paris, krahas pjesëmarrjes në Forumin e Paqes, kryeministri Kurti do të zhvillojë takime bilaterale në margjina të Forumit.
Ndërkaq, mbrëmë ishte i ftuar nderi në darkën e shtruar nga Qarku diplomatik i Parisit.
Që nga viti 2018, Forumi i Paqes në Paris është përpjekur të mbledh liderë për të diskutuar për diplomacinë, një botë në ndryshim, dhe të punojë drejt një qeverisjeje më të mirë globale të të mirave publike – dhe misioni i tij është më i rëndësishëm se kurrë këtë vit, me edicionin e tij të 8-të, në Palais de Chaillot më 29-30 tetor nën temën “Koalicione të Reja për Paqen, Njerëzit dhe Planetin”.
Udhëheqës nga qeveria, organizatat ndërkombëtare, biznesi, shoqëria civile dhe akademia, që përfaqësojnë si Veriun Global ashtu edhe Jugun Global, do të dalin në skenë për të debatuar dhe për të avancuar zgjidhjet për sfidat më urgjente të sotme.