Pas 4 protestave të dhunshme, Policia e Tiranës nuk e ka marrë përsipër zhvillimin e tubimit të Partisë Demokratike të thirrur ditën e sotme në orën 18:00 përballë Kryeministrisë. Blutë e Tiranës sqarojnë se pasi kanë marrë njoftimin nga PD për protestën e radhës, u kanë kthyer përgjigje organizatorëve se nuk e kanë marrë përsipër zhvillimi e tubimit, pasi siç sqarojnë burime për Report Tv, Policia ka informacione se në protestë do të ketë akte dhune.
Gjithashtu arsye është dhe përsëritja e aketeve të dhunës apo sulmeve me molotovë në drejtim të efektivëve të policisë nga militantët e Berishës në protestat e mëparshme, sidomos në atë të fundit ku u lënduan 16 prej tyre.
“Bazuar në analizën e riskut dhe duke marrë parasysh faktin që në protestën e kaluar ka patur shtetas të maskuar të cilët kanë hedhur bomba molotov dhe lëndë piroteknike duke dëmtuar punonjës policie, si dhe nga informacionet e marra se mund të ketë veprime të dhunshme në protestën e sotme, Policia e Tiranës i ka kthyer përgjigje subjektit politik, se nuk e merr përsipër zhvillimin e tubimit”, njoftoi Policia e Tiranës.
Megjithatë, ligji për “tubimet” e detyron policinë që të marrë masa për garantimin e sigurisë dhe rendit, kur ka informacion se po bëhet një tubim. Dhe për aq kohë sa në shesh ngrihet një podium dhe ka informacione se mund të ketë dhunë, policia thotë se ndonëse nuk e mori përsipër zhvillimin e protestës, “ka ndërmarrë të gjitha masat me qëllim garantimin e rendit dhe sigurisë, në rast se do të zhvillohet tubimi.”
Pra, efektivët e policisë do të jenë në terren njëjtë si protestat e kaluara, por nëse ka akte dhune dhe bllokime rrugësh, përgjegjës do të jenë drejtpërdrejtë organizatorët e protestës.
Pritet të shihet edhe skenari që do të ndjekë PD gjatë protestës, por siç thanë burime për Report Tv, militantët me shumë gjasa nuk do të zhvendosen tek Kuvendi, pasi në orën që zhvillohet protesta ka besimtarë që falen për gjatë muajit të Ramazanit pranë xhamisë te Parlamenti.
Në zbatim të këtyre masav që ka marrë policia sot do të kufizohet lëvizja në disa akse/segmente rrugore, konkretisht:
-Nga ora 15:00 e datës 20.02.2026, deri në përfundim të tubimit, do të ketë bllokim të lëvizjes së automjeteve në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, nga kryqëzimi afër Ministrisë së Brendshme deri te sheshi “Nënë Tereza”, si dhe në rrugët “Ukraina e Lirë”, “Papa Gjon Pali II” dhe “Ismail Qemali”.
Në varësi të zhvillimit të tubimit, mund të ketë kufizime të qarkullimit të automjeteve edhe në akse të tjera rrugore. Në rast bllokimi, për të ndihmuar qytetarët që do të qarkullojnë në këto akse, Policia e Tiranës ka marrë masa për ta devijuar qarkullimin e automjeteve në rrugë alternative.