Asnjë sinjal nuk ka që përsëritja e seancës konstituive në Kuvendin e Kosovës të marrë fund edhe pas gati katër muajve pas mbajtjes së zgjedhjeve. Sot do të mbahet e radhës dhe do të jetë hera e 28-të që deputetët e zgjedhur provojnë të konstituojnë legjislaturën e nëntë.
Partia fituese po këmbëngul në kandidaten e saj për kryeparlamentare, Albulena Haxhiu.
Partitë tjera s’po tërhiqen nga pozicioni i tyre me arsyetimin se ajo s’është “figurë konsensuale”, ndërsa disa prej tyre i kanë thënë Lëvizjes Vetëvendosje se nëse do të ndërronte kandidaten dhe do të propozonte disa emra që për ta janë të pranueshëm, do të mund të dilnin nga ngërçi i ngecur. Megjithatë, Vetëvendosje thotë se e ka të drejtën ekskluzive për të propozuar si parti e parë.
Dhe derisa bllokada po vazhdon, deputetët po marrin pagat e tyre për seancat pakminutëshe çdo 48 orë.
Thirrjet si brenda ashtu edhe jashtë Kosovës janë shtuar që politikanët e zgjedhur të vendosin në prioritet Kosovën dhe të dalin nga pozicioni bllokues. Këto thirrje kanë filluar të bëhen më të zëshme edhe nga vetë qytetarët.