Me akuzën e shkeljes së barazisë në tendera, së bashku me zv. kryeministren Belinda Balluku janë 6 të pandehurit për tenderin me fond limit 190 milionë euro pa TVSH për tunelin e Llogarasë. Katër ditë pasi Balluku u njoh me statusin e të pandehurës ka qenë radha e vartësve të saj të paraqiten në SPAK.
Gjyli preferoi të mos japë asnjë koment para mediave dhe nuk iu përgjigj as pyetjes nëse është marrë i pandehur, fakt ky që Report Tv e konfirmoi me burime nga Prokuroria e Posaçme.
A iu komunikua akuzë?
Avokati: Jo.
Për tunelin e Llogarasë ishit?
Avokati: Po.
Ish-kreu i ARRSH, Berberi është aktualisht në qeli dhe në pritje të gjykimit për akuzat e shkeljeve në tendera katër herë, korrupsion pasiv në 6 raste dhe pastrim parash. Berberi akuzohet se ka fituar miliona euro si pronar faktik i një kompanie me emrin “DAAM shpk, të cilës i ka dhënë një numër të konsiderueshëm tenderash me vlera të mëdha, mes tyre tenderin 2 milionë euro për mbikëqyrjen e punimeve për tunelin e Llogarasë.
Shkeljet me tenderin për Tunelin e Llogarasë
Hetimi i SPAK ka të bëjë me projektin e madh për ndërtimin e tunelit të Llogarasë, pjesë e rrugës Orikum Himarë, që është një seksion i autostradës Vlorë -Sarandë. Tenderi u hap fillimisht më 11 dhjetor 2020 dhe u mbyll më 12 shkurt 2021. Por më 19 prill 2021 në buletinin e Agjencisë së Prokurimit Publik, u njoftua se tenderi ishte anuluar, pasi asnjë ofertë nuk ishte e suksesshme në përputhje me dokumentet e tenderit. Në këtë procedurë u paraqitën 6 oferta, ku më e ulëta, ishte ajo e shoqërisë “Gjoka Konstruksion” sh.a., me vlerë 14 miliardë lekë ose rreth 140 milionë euro.
E njëjta garë u shpall 22 qershor 2021 për ndërtimin e tunelit të Llogarasë, me një fond limit prej afro 190 mln euro pa TVSH. Në tenderin i cili u mbyll më 28 korrik po të vitit 2021, u bënë 5 oferta, ku grupi I dy kompanive turke Intecar dhe Asl, u shpall fitues, me ofertë 170 mln euro plus TVSH.
SPAK dyshon se Balluku dhe Gjyli kanë kryer veprime që mund të kenë ndikuar në mënyrë të padrejtë në këtë proces prokurimi, pasi tenderi u anulua kur oferta më e ulët ishte 140 mln euro dhe u rihap pak muaj më pas dhe ju dha bashkimit të kompanive turke edhe pse kishin ofruar vlerë më të lartë.
Tuneli i Llogarasë është një nga projektet më të mëdha infrastrukturore në vend, dhe hetimi i SPAK lidhet me mënyrën se si është zhvilluar dhe menaxhuar procedura e tenderit për ndërtimin e tij. Përpos hetimit për tunelin e LLogarasë, SPAK po heton edhe tenderë të tjera që përfshijnë Ministrinë e Drejtuar nga Balluku. Gatë deklarimit në Parlament, kreu I SPAK, Altin Dumani pohoi se nën hetim është dhe Aeroporti i Vlorës, ndërsa kanë nisur verifikimet paraprake dhe për ndërtimin e autostradës Thumanë-Kashar.