Profesor Spase Shumkën e gjejmë edhe këtë vit me kolegët e tij pranë liqenit në Pogradec duke vrojtuar banorët e që dimërojnë në këtë zonë të Shqipërisë.
Për ta e rëndësishme është që shpendët të mos e braktisin shtëpinë e tyre madje të joshin edhe të tjerë që të zgjedhin mjediset e Shqipërisë në muajt e parë të vitit.
“Rezultatet e para janë të kënaqshme. Sivjet kemi një numër më të lartë të shpendëve dhe kjo tregon se ekosistemi në liqenin e Pogradecit është i qëndrueshëm dhe kërcënimet qoftë nga njeriu apo edhe ndryshimet klimaterike nuk kanë dhënë efektet e tyre për sa i përket shpendëve.”
“Arsyeja kryesore mund të jetë që në liqenin e Prespës ne kemi ndryshime të habitateve si rezultat i reduktimit të nivelit të liqenit dhe një pjesë e tyre mund të jetë vendosur këtu, por kjo është vetëm në mënyrë hipotetike.” u shpreh Spase Shumka, profesor në Universitetin Bujqësor
Ai ka 20 vite që vrojton me kujdes vizitorët e përvitshëm dhe për herë të parë vëren shtim të murçakut një ndër rosat më të veçanta që shihen në Shqipëri, pasi shihet kryesisht vetëm gjatë muajit mars, prandaj edhe në popull njihet me emrin marsake apo marsatore.
“Ka disa elemente të veçanta në Pogrades këtë vit. Për herë të parë në rreth 20 vjet që bëjmë ne monitorim, numri i individëve të një specie të rëndësishme siç është murcaku është pothuajse shumë i madh.” tha eksperti Shumka.
Grupit të punës këti vit i janë bashkuar edhe të rinjtë pogradecarë të cilët u njohën me shpendët ujorë që karakterizojnë kryesisht liqenin e Ohrit.
“Për mua, si herë e parë, ishte një eksperiencë tepër e bukur dhe fantastike, sepse ne jetojmë në Pogradec dhe kemi liqenin tonë, por nuk e dinim që kishte një shumëllojshmëri kaq të madhe shpendësh. Mësuam edhe disa lloje shpendësh të veçantë, si kretaraku i madh dhe zhytkuqja e madhe, dhe ishte vërtet një eksperiencë për t’u mbajtur mend”, -tregon nxënësi Sparti Dervishaj.
“Nga shpendët që vizitojnë Liqenin e Pogradecit përmendim bajzat, lloje të ndryshme rosash, mjelmat, pra nuk kemi hasur ndonjë specie të rrallë”,-shprehet eksperti i mjedisit ne zonën e Korçës, Beqo.
Në Censin Ndërkombëtar të Shpendëve Ujorë Dimërorë 2026, në Shqipëri u angazhuan 102 specialistë të Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura (AKZM), si dhe 17 ekspertë të fushës të vendosur në 34 vendnumërime në të gjithë territorin e vendit.
Vrojtimet në lagunën e Nartës, Orikum dhe Butrint kanë zbuluar shpendë të cilët kanë krijuar habitatin e tyre në këtë periudhë të vitit.
“Anasakuta është një lloj shpendi që u evidentua sot, gjendet në lagunë por sot është dita e parë që e pamë.”
“Ka prezencë të lartë kryesisht të atyre që ndodhen në lagunë, rosa të ndryshme, flamingo, pelikanë, bajza etj .”tregon eksperti i mjedisit Xhemal Xheri.
Për specialistet e zonave të mbrojtura në Qarkun e Vlorës shqetësim mbetet gjuetia e paligjshme.
“Kemi konstatuar tre kurthe nga gjuetarët, i kemi cmontuar.”tregon përfaqësuesi i zonave të mbrojtura në lagunën e Nartës.
Këto ndërhyrje kanë nisur që në fillim të dhjetorit. Sipas përfaqësuesit të administratës së zonave të mbrojtura në Vlorë, gjuetarët e paligjshëm zgjedhin orët e mbrëmjes për të vepruar:
“Në bazë të të dhënave jemi njoftuar që dalin pas orës 10 të natës. Megjithatë ne qëndrojmë në gatishmëri.”
Ndërsa sipas përfaqësuesit të PPNEA-s: “Shumë gjuetarë i janë vërsulur ligatinave, ndonëse lejohet të praktikohet gjuetia në zonat e mbrojtura. Nga kolegat tanë, gjatë dy ditëve të mesit të janarit, në xonën Vjosë-Nartë e në zonat kodrinore përreth janë dëgjuar 10-20 të shtëna në orët e para të mëngjesit.”
Moratoriumi për gjuetinë, pas më shumë se një dekade është hequr, duke lejuar këtë aktivitet në zona të caktuara, sipas rregullave të parashikuara në ligjin e ri të “Për gjuetinë”. Ky ligj siguron mbrojtjen dhe ruajtjen e diversitetit biologjik të habitateve natyrore të faunës dhe florës së egër gjatë ushtrimit të gjuetisë.
Zbatimi korrekt i tij është edhe sfida e radhës për shtimin e mëtejshëm të shpendëve, por jo e vetmja. Projektet për urbanizimin e shpejtë me ndërtime të larta në afërsi të zonave të mbrojtura rrezikojnë të ardhmen e shpendëve dimërues në vendin tonë.
“Çështja e shpendëve nuk është e varur vetëm nga Pogradeci për arsye se shpendët nuk qëndrojnë gjithmonë në të njëjrin vend, ata lëvizin nga një zonë në një tjetër, kështu që nëse në disa zona periferike shpendët do të cënohen në një mënyrë të ndjeshme, kuptohet që edhe numri këtu do të cënohet.”
“Shqetësimet mund të vijnë në ato zona ku ka aktivitet të fuqishëm turistik, zona ku mund të ketë praktikisht ndërtime apo që janë të frekuentuara shumë nga trafiku etj.” nënvizoi eksperti i mjedisit Spase Shumka.
Ndësra për përfaqësuesin e PPNEA-s mbetet problem ndërtimi i aeroportit të Vlorës për shkak të afërsisë me lagunën e Nartës.
“Aeroporti i Vlorës, do të ndikojë negativisht në faunën e egër, kryesisht në zonën e kripores. Gjatë fazës së operimit ne mendojmë se do të ketë edhe më shumë shqetësim pasi bëhet fjalë për avionë shumë të mëdhenj. Lloji me i rrezikuar është pelikani, specie shumë e rëndësishme jo vetëm në nivel kombëtar por edhe ndërkombëtar.”
Administrata rajonale e zonave të mbrojtura Korçë u ndal në Parkun Kombëtar të Prespës. Ndonëse të dhënat paraprake treguan se numri i shpendëve dhe larmia e specieve mbeten të njëjta me vitin e kaluar, sipas ekspertëve të mjedisit ulja e nivelit të ujit dhe dalja e kallamishtes në tokë sjell humbjen e habitateve të përshtatshme për folenizim dhe jetesë të ktyre specieve. Sipas profesor Shumkës:
“Në liqenin e Prespës ka disa probleme që lidhen me faktin që habitatet historike të cilat kanë qenë të pasura me kallamishte janë cënuar si rezultat i reduktimit të liqenit.”
Rënia e nivelit të ujit në liqenet e Prespës, riktheu pas 20 vitesh vëmendjen shkencorë. Për tre ditë studiues e ekspertë nga Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Greqia u bënë bashkë për të diskutuar parandalimin e tjetërsimit të ekosistemit unik në Evropë me një rëndësi jetike edhe për liqenin e Ohrit.
“Mbrojtja e liqenit të Prespës ka një rëndësi shumë të madhe edhe për liqenin e Ohrit, pasi rreth 78% e ujërave të tij furnizohen nga Prespa”,-tha Arjan Merolli, ekspert i mjedisit
Drejtuesi i PPNEA-s, Aleksandër Trajce, theksoi se rënia shqetësuese e nivelit të ujit është një fenomen që po rrezikon ekuilibrin natyror të zonës.
‘Vitet e fundit, sidomos Liqeni i Prespës së Madhe po përballet me një rënie drastike të nivelit të ujit. Një rënie e cila nuk kuptohet mirë se kush janë arsyet kryesore apo arsyet që ndërveprojnë dhe që e kanë sjellë në këtë gjendje. Ne shpresojmë që ky simpozium të nda ndhmojë dhe ne të kemi një kthjellim të këtyre problematikeve në mënyrë që edhe masat që do merren nga institucionet e ndryshme përgjegjëse të jenë sa më efektive”,- tha Trajce.
Të vonuar e cilësoi këtë takim eksperti grek Giorgos Katsadorakis duke theksuar se ajo duhej të ishte mbajtur prej vitesh, për shkak të situatës shqetësuese që po kalojnë liqenet.
“Konferenca shkencore është shumë interesante sepse është diçka që duhet ta kishim bërë më herët. Detyra jonë është që të mbrojmë vlerat natyrale të sistemit të liqenit të Prespës. Banorët e zonës, herët a vonë, do të duhet të përshtaten me këto ndryshime, por ne duhet të mbrojmë vlerat natyrore dhe të harmonizojmë masat menaxhuese me jetesën e tyre”, u shpreh eksperti i mjedisit në shoqatën për mbrojtjen e Prespës.
Prej vitit 1967, ky census mbledh çdo vit të dhëna të çmuara për biodiversitetin, falë mijëra vëzhguesve në mbarë botën.
Në shqipëri Censi ndërkombëtar i shpendëve ujorë ka filluar që në vitin 1993, duke u realizuar në ligatinat më të rëndësishme të vendit, nëpërmjet mbështetjes së ekspertëve të ndryshëm në fushën e ornitologjisë.
Në ligatinat e Shqipërisë llojet më të përhapura janë kryesisht: bajzat (të cilat përbëjnë edhe përqindjen më të madhe të shpendëve të ujit), rosat pulëbardhat karabullakët, shapka e ujit etj,.
Një rol mjaft të rëndësishëm gjatë vrojtimeve është dhe identifikimi i shpendëve të ujit të cilët përdorin si habitate tipike mjediset detare ku mund të përmendim kryesisht norin gushëzi ose i njohur me emrin shkencor Gavia arctica.
Përveçse numërimit të shpendëve tipik ujor të cilët përdorin si mjedise jetese dhe ushqimi mjediset ligatinore, gjatë inventarizimit të shpendëve u përfshinë edhe shpendët e tjerë rrëmbenjës të pranishëm në këto habitate si: shqipja e kënetës, shqipja e fushës, huta, gjeraqina si dhe shpendë të lidhur me habitatet e tilla duke i përdorur si vende ushqimi si bilbili i ujit.
Të gjithë këta kanë zgjedhur Shqipërinë për të dimëruar. Rreziku që ata të mos rikthehen më, më shumë se sa nga natyra vjen nga dora e njeriut sipas specialistëve të mjedisit.
“Ndryshimeve klimatike nuk kemi çfarë t’i bëjmë për arsye se këto janë ndryshime globale, s’dimë nëse kanë vërtet lidhje me to. Janë shumë hipoteza. Por gjithsesi atë që kemi në dorë ne është praktikisht që të ulim nivelin e shqetësimeve ndaj habitateve të gjallesave.” përfundon profesor Spase Shumka.