Në 2026-tën, procesi i integrimit të Shqipërisë në BE, hyn në kapitullin e tij vendimtar.Kështu deklaroi Ministrja Elisa Spiropali nga Komisioni Parlamentar për Europën dhe Punët e Jashtme ku u prezantua projektbuxheti i vitit 2026.
Vitin e ardhshëm, sipas Spiropalit, Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme ka përpara një mision historik, të udhëheqë ofensivën më të madhe diplomatike në historinë e diplomacisë shqiptare.
“Duhet t’i japim vulën e pakthyeshmërisë së gjithë reformave që na kanë sjellë në pikën ku kemi arritur. Mali që kemi përpara nesh është ende i lartë, por duke parë pas, tatëpjeta që kemi ngjitur është edhe më e lartë se sa maja përballë. Nuk jemi në gjysmë të rrugës. Jemi pranë fundit të saj! Për këtë arsye, me një lidership të vendosur, me një vullnet të palëkundur dhe me më shumë energji, duhet të punojmë për të bërë më shumë, dhe për t’u takuar edhe më shpejt me objektivin e pashmangshëm të Pasaportës sonë Europiane”, tha Spiropali.
Gjithashtu, Spiropali bëri me dije se po punohet nga ana e Shqipërisë për hapjen e grupkapitullit të fundit brenda nëntorit.
Ministrja deklaroi se “buxheti i ri i MEPJ për vitin 2026, na jep kapacitetet e nevojshme për t’u ngritur në lartësinë e ambicjes sonë dhe për të përmbushur me shpejtësi objektivat tanë politikë dhe strategjikë.”
Buxheti 2026 do të mbështesë edhe Strategjinë Kombëtare të Diasporës Shqiptare, regjistrimin e diasporës dhe rrjetëzimin e grupeve profesioniste në diasporë, modernizimin e shërbimeve të dedikuara për diasporën.
Fokus kyç në punën e MEPJ për vitin e ardhshëm do të jetë hapja e shërbimit diplomatik ndaj të rinjve, veçanërisht ekselencës dhe të rinjve në diasporë.