Ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali, mirëpriti në Tiranë Ministren Federale për Europën dhe Punët e Jashtme të Republikës së Austrisë, Beate Meinl-Reisinger.
Në konferencën për shtyp Spiropali theksoi progresin e bërë nga Shqipëria në rrugën drejt afrimit me BE dhe rëndësinë e procesit të zgjerimit për të gjitha palët.
Spiropali deklaroi se “mbështetja parimore e Austrisë për integrimin europian të vendit, kontributi në jetëzimin e reformave kyçe, si dhe mbështetja për zhvillimin ekonomik të Ballkanit Perëndimor, kanë bërë gjithmonë diferencën në rajonin tonë”.
“Jam vërtet e lumtur t’i jap mirëseardhjen sot një mikeje të vendit tonë, Beate Meinl-Reisinger, Ministre Federale për Europën dhe Punët e Jashtme të Austrisë, në vizitën e saj të parë zyrtare në Shqipëri. Jam posaçërisht mirënjohëse dhe falenderuese, që në këtë moment kyç të vendit tonë, kur gjendemi në pragun e derës së shtëpisë europiane, historia rezonon. Por, unë besoj se kjo vizitë, shërben gjithashtu për të provuar se Europa jeton jo vetëm në kryeqytetet e saj tradicionale, si Viena.
Ajo jeton kudo ku vlerat europiane ekzistojnë, admirohen dhe ndiqen. E askund tjetër më shumë se në Shqipëri, nuk ekziston sot një mbështetje dhe një admirim kaq unanim për Europën. E nderuar Ministre, mirëseerdhe në Tiranën që nuk na përket vetëm ne, por i përket të gjithë Europës.Shqipëria është mirënjohëse ndaj Austrisë për gjithë mbështetjen e dhënë dhe kjo vizitë, është pa dyshim shprehje e një vullneti të përbashkët për të forcuar më tej marrëdhëniet tona të shkëlqyera.
Ashtu siç ka thënë Karl Kraus, tre herë kandidat për Nobelin e Literaturës, “e ardhmja nuk është thjesht ajo që do të ndodhë, por ajo që do të imagjinojmë”.
Imagjinuam sot me homologen dhe miken, një të ardhme në të cilën aksi Tiranë-Vjenë do të jetë shumë më dinamik në të gjithë drejtimet; politikisht, ekonomikisht, sa i përket sigurisë, etj. Në fuqizimin e këtij aksi, një rol thelbësor do të luajë pa dyshim, edhe komuniteti shqiptar në Austri, si dhe ai komunitet gjithmonë edhe më i madh, i investitorëve dhe sipërmarrësve austriakë në Shqipëri.
Sa i përket rrugës sonë integruese, rikonfirmuam me Ministren Federale axhendën shumë ambicioze të punës, për mbylljen e negociatave të anëtarësimit brenda vitit 2027 dhe për anëtarësimin e plotë brenda kësaj dekade. Në këtë drejtim, mbështetja parimore dhe pragmatike e Austrisë, kontributi në jetëzimin e reformave kyçe, si dhe mbështetja për zhvillimin ekonomik të qëndrueshëm të rajonit kanë bërë dhe do të vijojnë të bëjnë një diferencë të rëndësishme për vendin tonë” tha Spiropali.
Ndër të tjera ajo shtoi se Europa për vendin tonë është jo vetëm objektivi kryesor kombëtar, por edhe një shans historik për transformimin e institucioneve, forcimin e shtetit të së drejtës, ekonomisë, tregut dhe shoqërisë shqiptare.
“Qartësisht, pavarësisht progresit ne jemi plotësisht të vetëdijshëm se Shqipëria ka ende rrugë sfiduese përpara. Dhe raporti evidenton qartë kapitujt ku ka nevojë për ritëm të shtuar. Ne mbetemi plotësisht të angazhuar që gjetjet e raportit t’i shndërrojmë në një program të mirëfilltë pune për institucionet tona.
Investimet austriake luajnë një rol kyç në sektorë të rëndësishëm si energjia, bankat, ndërtimi, turizmi dhe teknologjia, duke kontribuar në zhvillimin e qëndrueshëm të ekonomisë sonë. Prioritet absolut për Shqipërinë mbetet fuqizimi i mëtejshëm i investimeve dhe sipërmarrjeve austriake në sektorët kyç të ekonomisë sonë.
Në përfundim, ramë dakord të vijojmë dialogun tonë strategjik në formate të ndryshme, të masim progresin me objektiva të përbashkëta dhe të hapim kapituj të rinj bashkëpunimi”, tha Spiropali.
Nga ana tjetër Beate Meinl-Reisinger theksoi se procesi i reformave është thelbësor teksa vuri në dukje edhe njëherë mbështetjen e Austrisë për rrugën e Shqipërisë drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian.
“Shqipëria është një partner i besueshëm. Procesi i reformave është shumë i rëndësishëm. Shqipëria me ambicie të mëdha dhe angazhim shumë të madh është duke përmbushur kërkesat që i janë vënë dhe Austria ju mbështet për këtë”, tha ajo.