Për shkak të mungesës së personelit mjekësor dhe pas ankesave të shumta nga qytetarët, për të zbutur këtë problem, Spitali i Kumanovës ka paraqitur kërkesë për miratimin e 72 punonjësve të rinj, mes të cilëve infermierë, mjekë dhe të tjerë. Ministria e Shëndetësisë thekson se procedura është duke vijuar në bashkëpunim me institucionet përkatëse, por nuk tregojnë ndonjë afat se kur do të përmbyllet ky proces, shkruan Portalb.mk.
Për shkak të mungesës së personelit dhe infermierëve në Spitalin e Përgjithshëm të Kumanovës, veçanërisht në Repartin Laboratorik, qytetarët detyrohen të presin me orë të tëra për të marrë shërbimet e nevojshme.
Apo në raste tjera, në Repartin e Oftamologjisë infermierët detyrohen t’i kryejnë kontrollet e pacientëve në mungesë të mjekëve kujdestarë .
Sipas qytetarëve, mungesa e stafit bën që infermieret të punojnë njëkohësisht si në sportel, ashtu edhe në dhomat e marrjes së gjakut, duke krijuar vonesa dhe mbingarkesë në punë.
Ata vazhdimisht kanë kërkuar që urgjentisht të angazhohet personel shtesë, në mënyrë që të përmirësohet cilësia dhe efikasiteti i shërbimeve në laboratorin e spitalit.
Nga Spitali i Përgjithshëm Kumanovë theksuan se kanë paraqitur kërkesë për punësimin e personelit të nevojshëm.
“Kemi paraqitur kërkesë për miratim për 72 punësime të reja. Në kërkesë kemi përfshirë: mjekë të përgjithshëm, farmacistë, laborantë, infermierë, ashkusherë, punonjës spitalorë, dhe pastrues. Nëse na miratohet kërkesa, do të kemi punësim të 30 deri në 40 infermierë dhe tre punonjës të rinj në laboratori”, thanë nga Spitali i Kumanovës.
Ata theksojnë se gjatë tre viteve të fundit dolën në pension 108 persona, ndërsa nuk është punësuar asnjë, kështu që shpresojnë se me këto 72 punësime do të zgjidhen pjesërisht problemet e personelit.
Nga Ministria e Shëndetësisë theksuan se procedura ligjore është në zhvillim e sipër në koordinim me Fondin për Sigurime Shëndetësore dhe Ministrinë e Financave.
“Spitali i Përgjithshëm i Kumanovës ka paraqitur kërkesa për punësim për disa persona, përfshirë infermierë me arsim të mesëm dhe të lartë. Procedura ligjore është duke u zhvilluar në bashkëpunim me Fondin e Sigurimeve Shëndetësore dhe Ministrinë e Financave”, thanë nga Ministria e Shëndetësisë.
Nga ana tjetër, nga Fondi për Sigurim Shëndetësor theksojnë se punësimet e reja në Spitalin e Përgjithshëm të Kumanovës planifikohen nga vetë institucioni.
“Në kontekst të procedurës për punësimin e infermiereve në Spitalin e Përgjithshëm të Kumanovës, ju informojmë se politika për planifikimin dhe inicimin e punësimeve të reja është në kompetencë të vetë institucioneve shëndetësore, respektivisht të punëdhënësit – në këtë rast, Spitalit të Përgjithshëm në Kumanovë”, thanë nga Fondi për Sigurim Shëndetësor.
Ata theksuan se procedura filloi me paraqitjen e kërkesës për punësime të reja nga Ministria e Shëndetësisë, e cila, pasi vlerëson nevojën dhe arsyeshmërinë i jep pëlqimin dhe ia dërgon kërkesën Fondit për Sigurim Shëndetësor.
“Roli i Fondit në këtë procedurë është i kufizuar në dhënien e një mendimi financiar, i cili bazohet në konstatimin e gjendjes faktike të mjeteve të planifikuara brenda buxhetit vjetor për paga të institucionit përkatës shëndetësor. Në bazë të kësaj analize, Fondi jep mendim pozitiv”, thanë nga Fondi për Sigurim Shëndetësor.
Ndërsa nga Ministria e Financave theksoi se miratimi i punësimeve të reja bazohet vetëm në mundësitë financiare dhe institucionit i dërgohet një përgjigje formale që përmban numrin e vendeve të punës që mund të financohen.
“Ministria e Financave u përgjigjet kërkesave të paraqitura brenda afatit të përcaktuar me ligj dhe, në përputhje me Ligjin për Buxhet, dhe Ligji i Ekzekutimin të Buxhetit i dorëzon përdoruesit njoftim nëse janë siguruar fonde apo jo për realizimin e punësimeve të reja në buxhetin e përdoruesit buxhetor, për të cilat më parë ka paraqitur kërkesë në Ministrinë e Financave, dhe i cili përmban informacion vetëm mbi numrin e punësimeve të reja”, thanë nga Ministria e Financave.
Pacientët ne radhë duke pritur në dorëzimin e dokumenteve në sportel. Në Repartin Laboratorik në Spitalin e Kumanovës. Foto nga Portalb.mk
Pacientët ne radhë duke pritur në dorëzimin e dokumenteve në sportel. Në Repartin Laboratorik në Spitalin e Kumanovës. Foto nga Portalb.mk
Në qershor, Spitali i Përgjithshëm i Kumanovës njoftoi se janë punësuar 24 specializantë në fusha të ndryshme si: kirurgji, ortopedi, pediatri, gjinekologji dhe obstetrikë, oftalmologji, psikiatri, dhe të tjera.