Egnatia ka nisur sezonin e ri në mënyrën më të keqe të mundshme, duke marrë vetëm një pikë në dy ndeshjet e para dhe duke u renditur në vendet e fundit të klasifikimit. Një bilanc i tillë nuk pritej në Rrogozhinë, sidomos për një skuadër që prej dy sezonesh ka bërë hapa të mëdha në futbollin shqiptar dhe tashmë shihet si pretendente për zonat e sipërme.
Ajo që shqetëson më shumë nuk janë vetëm rezultatet, por edhe loja e skuadrës. Egnatia nuk ka arritur të bindë me paraqitjet e saj, pavarësisht se përballë ka pasur dy kundërshtarë të fortë dhe me pretendime si Vllaznia dhe Elbasani. Në kampin rrogozhinas pritej një nisje më e konsoliduar, sidomos pas përvojës së fituar sezonin e kaluar, ku ekipi u përball me ngarkesë të lartë edhe nga pjesëmarrja në Europë.
KRAHASIMI – Statistikat tregojnë se nisjet e dobëta nuk janë të panjohura për Egnatian, edhe pse ky start është ndër më zhgënjyesit. Në sezonin 2021-2022, që ishte edhe viti i rikthimit në elitë pas shumë vitesh, ekipi mori vetëm një barazim në dy javët e para. Në sezonin 2022-2023, Egnatia nuk grumbulloi asnjë pikë në këtë periudhë. Në sezonin 2023-2024, rrogozhinasit regjistruan tre pikë pas dy javësh. Më i miri mbetet fillimi i sezonit të kaluar, kur ekipi arriti dy fitore të njëpasnjëshme dhe u ngjit menjëherë në krye me gjashtë pikë. Krahasimi tregon se ky fillim i këtij sezoni është një hap prapa, duke u ngjitur në listën e nisjeve më të dobëta të rrogozhinasve në elitë.
SITUATA – Në krahasim me vitet e kaluara, ky start i ngadaltë përbën një hap prapa për skuadrën e Edlir Tetovës, e cila shfaqet me më pak efikasitet në sulm dhe më pak stabilitet në mbrojtje. Në Rrogozhinë ka pak durim për rezultate të tilla, sidomos pas pritshmërive të larta që krijoi skuadra sezonin e kaluar me fitoret në Superiore dhe përfaqësimin deri-diku pozitiv në Europë. Edhe pse është ende herët për të bërë bilance, presioni tashmë ka filluar të ndihet.
Tifozët dhe drejtuesit kërkojnë reagim të menjëhershëm në javët e ardhshme, për të shmangur një situatë të pakëndshme që mund të ndikojë në objektivat sezonalë. Kalendari nuk ofron lehtësira, por Egnatia do të duhet të tregojë karakter në ndeshjet e radhës, për të provuar se ky start i dobët është vetëm një incident dhe jo tregues i formës së skuadrës. Reagimi i menjëhershëm në lojë dhe rezultat është thelbësor për të rikthyer besimin e tifozëve dhe për të mos lejuar që objektivat e sezonit të dëmtohen që në javët e para.