Skemat piramidale kanë rikthyer në kujtesë mashtrimet e viteve ’90, këtë herë në formë dixhitale. Eksperti i IT-së, Besmir Semanaj, i ftuar në një intervistë me Nertil Agalliun, konfirmoi se mijëra qytetarë shqiptarë, kryesisht nga zona e Lushnjës dhe Divjakës, kanë rënë pre e mashtrimeve online me kriptovaluta dhe investime të rreme në bursë.
Sipas tij, këto kompani funksionojnë sipas modelit klasik të firmave piramidale: në fillim paguajnë disa persona për t’i joshur të sjellin të tjerë, duke krijuar bindjen se investimi është fitimprurës. Premtimet arrijnë deri në 100% fitim për një periudhë të shkurtër, ndërkohë që qytetarët shohin në aplikacione të sajuara sikur paratë e tyre po shumëfishohen.
“Qytetarët shikonin në llogari se si 1 mijë euro bëhej 2 mijë ose 3 mijë, por në realitet paratë nuk tërhiqeshin kurrë. Në fillim disa pagesa u bënë për të nxitur të tjerët, por më pas gjithçka bllokohej,” – tha Semanaj.
Ai theksoi se sipas të dhënave të qarkulluara, mbi 6 mijë qytetarë kanë humbur kursimet apo kanë marrë borxhe për të investuar. Shumë prej tyre kanë dhënë para cash ndërmjetësve shqiptarë, të cilët kanë përfituar drejtpërdrejt nga kjo skemë mashtruese.
“Disa madje e dinin që ishte piramidë, por shpresonin të tërhiqnin fitimet para se të falimentonte. Kjo është një formë bixhozi,” – shtoi ai.
Semanaj theksoi se paratë e humbura janë praktikisht të parekuperueshme, pasi nuk dihet në çfarë portofolësh kriptomonedhash janë transferuar. Ai bëri thirrje që institucionet shtetërore të hetojnë dhe të ndëshkojnë ndërmjetësit shqiptarë që kanë rekrutuar qytetarë të pafajshëm.
“Kjo që më shqetëson më shumë është fakti që persona të vetëdijshëm për rrezikun kanë mashtruar dhe joshur më të pambrojturit e shoqërisë. Qytetarët duhet ta dinë: fitimi i garantuar nuk ekziston. Kushdo që premton fitime 30-100% është mashtrues,” – paralajmëroi Semanaj.