Formën e mirë që ka shfaqur me tri fitore radhazi në Albi Mall Superligën e Kosovës, skuadra e Llapit e ka konfirmuar edhe në Kupën e Kosovës, duke siguruar kualifikimin në finalen e madhe të këtij edicioni.
Llapi, të mërkurën, ka shënuar fitore edhe ndeshjen e kthimit gjysmëfinale ndaj Drenicës, të cilën e fitoi me rezultat identik si në takimin e parë – 2:0. Kësaj radhe, përballja u zhvillua në stadiumin “Bajram Aliu” në Skenderaj, ndërkohë që ndeshja e parë ishte luajtur në “Zahir Pajaziti” të Podujevës.
Heroi i fitores së llapjanëve ishte anësori Arianit Hasani, i cili realizoi të dy golat. Goli i parë erdhi në minutën e 66-të pas një asistimi të bukur nga talenti i ri, Elvir Gashijani. Ndërsa, fitoren e vulosi me një supergol nga distanca pas asistimit të Ardit Tahirit.
Llapi është skuadra e vetme që ka arritur deri në finalen e Kupës së Kosovës pa pësuar asnjë gol. Në rrugëtimin drejt finales, në 1/16 e finales e eliminoi Flamurtarin me rezultat 4:0, në 1/8 e finales mposhti Vushtrrinë me rezultat 2:0, ndërsa në çerekfinale triumfoi ndaj Malishevës me rezultat 1:0. Ndërkaq, Drenicën e kaloi me nga rezultat të përgjithshëm pas dy ndeshjeve, 4:0.
Në finalen e madhe, Llapi do të ballafaqohet me fituesin e përballjes ndërmjet Prishtinës dhe Dritës. Prishtina ka epërsi minimale nga ndeshja e parë, të cilën e fitoi 1:0 në Gjilan. Takimi i kthimit zhvillohet sonte nga ora 20:00 në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë. Triumfi në garat e Kupës së Kosovës siguron një vend në Evropë.