Alfred Ferko është i mendimit se ka ardhur koha e fitoreve dhe se futbollistët duhet të shpërblejnë investimin e Sinan Idrizit për stadiumin që i ka dhuruar Vlorës. Gjatë një prononcimi për mediat, sekretari i përgjithshëm i klubit thotë se Flamurtari do të ndryshojë nga faza e parë.
“Idrizi bëri një investim kolosal dhe qytetarëve të Vlorës iu ofruam një stadium të ri dhe modern. Por koha e stadiumit mbaroi. Në stadium po kënaqemi dhe po shijojmë edhe fitoret e ekipit që në një periudhë na kanë munguar.
E ndiejmë shumë tek njerëzit, te vlonjatët, këtë ndryshim. Vijnë në stadium me familje dhe me fëmijë dhe i gëzohen këtij stadiumi. Pastaj gjërat fillojnë dhe interesohen se për çfarë shërben ky stadium. Por bashkë me stadiumin duhen edhe fitoret. Ato po vijnë dhe skuadra po ndryshon nga faza e parë. Tani duhet që të shpërblehet nga ekipi kjo dhuratë e Idrizit. Skuadra duhet që të kthehet në rrugën e duhur”, shprehet fillimisht Ferko.
VAZHDIMËSIA
Sekretari i përgjithshëm i klubit, Alfred Ferko, pikët i cilëson shumë të rëndësishme, por është optimist për vazhdimësinë, pasi ai thotë se fatet e kampionatit nuk vendosen në nëntor. “Është një kampionat shumë i gjatë. Pikët janë ato që bëjnë diferencën. E rëndësishme është që Flamurtari po merr fizionominë si ekip. I kemi të gjitha mundësitë për të fituar ndeshjet si brenda ashtu edhe jashtë. Kudo ku të shkojmë duhet të luajmë për tri pikët.
I kemi të gjitha mundësitë për t’u rritur. Me Egnatian kemi qenë të pafat, ndërsa me Elbasanin ka qenë ndeshja më e mirë. Kemi qenë superiorë. Kështu do të shkojmë edhe në transferta. Nuk duhet që ta lëmë kohën të ikë. Kemi disa lojtarë të dëmtuar dhe kjo shërben për ta pasur grupin të plotë. Asnjë ekip nuk bie nga kategoria në nëntor dhe asnjë nuk del kampion në nëntor. Është kampionat i gjatë. Duhet të grumbullojmë pikët dhe të mos lëmë më. Futbolli fitohet edhe duke luajtur bukur. Vazhdimësinë e bën një ekip që ka kualitete. Ky ekip do të shkojë larg”, deklaron Ferko.
LOJTARËT SHQIPTARË
I pyetur nëse trajneri Françesko Moriero po i beson lojtarëve shqiptarë që po bëjnë diferencën, Ferko përgjigjet: “Nuk ndahen në shqiptarë dhe të huaj. Nga i pari tek i fundit përfaqësojnë Flamurtarin. Janë shqiptarë dhe të ardhur. Janë profesionistë dhe kanë bredhur botën. Janë lojtarë të Flamurtarit. Unë jam shumë entuziast që pas ndeshjes së dytë me Teutën ekipi ka ardhur duke u rritur në çdo aspekt”.
Alfred Ferko ka një koment edhe për shkatërrimin e stadiumit nga tifozët e Elbasanit. “Ngjarje e shëmtuar ishte ajo e tifozëve të Elbasanit. Tifozët duhet të gëzonin për atë fitore në Vlorë. Ne i kemi mirëpritur. Nuk duhet që të ndodhin më këto gjëra, duke shkatërruar një pronë private dhe një investim privat. Kemi shkuar për t’i qetësuar.
Shkoi vetë presidenti Sinan Idrizi që komunikoi me tifozerinë e Elbasanit. Ju dhamë një stadium që të uleshin si njerëz, pasi në shumë stadiume të tjera pjesa që u takon tifozëve miq është pa asgjë, nuk ka stola. Ne do t’i vendosim stolat përsëri, që ata të vijnë dhe të ulen si njerëz në stadium”, shprehet Ferko.
PËR REALIN
Duke folur për bashkëpunimin e Flamurtarit me Real Madrid, Ferko thotë se në Vlorë pritet një investim i madh. “Ka qenë një takim shumë i rëndësishëm mes presidentit tonë Sinan Idrizi dhe presidentit të Real Madridit për të ardhmen e Flamurtarit dhe jo vetëm. Është një investim kolosal që pritet të bëhet në Vlorë”, përfundoi Ferko.