Anija është nxjerrë në shitje nga ndërmjetësi i jahteve Edmiston. Jamie Edmiston, CEO i kompanisë që mban emrin e tij, deklaroi në një komunikatë se ky është “jahti më i jashtëzakonshëm që është ndërtuar ndonjëherë [dhe] ai që do të ndryshojë gjithçka”.
As Gates, as Edmiston nuk iu përgjigjën kërkesave për koment nga Fortune, por publikime të shumta nga fusha e biznesit dhe industrisë kanë raportuar gjerësisht se superjahti është porositur nga Gates vetëm disa vite më parë.
Kantieri detar holandez Feadship ndërtoi “Breakthrough”, i njohur gjithashtu si “Projekti 821”, për një periudhë prej pesë vitesh, dhe është mjaftueshëm i madh për të akomoduar 43 anëtarë të ekuipazhit dhe 30 të ftuar në 15 kabina.
Revista Forbes Australia raportoi në maj 2024 se jahti përfshin edhe një spital, bibliotekë, ashensor, kinema, pishinë, xhakuzi, banjë me avull, palestër, kuvertë të veçantë për pronarët me dy dhoma gjumi, dy banjo, dy zyra dhe 14 ballkone rrëshqitëse.
“Ajo që ka rëndësi tek Breakthrough është se është një mrekulli e inxhinierisë moderne, pikë”, tha Brad Hall, CEO i tregut online të jahteve Yachtlify, për revistën Fortune.
Kjo sepse “Breakthrough” është superjahti i parë në botë i furnizuar me qeliza karburanti me hidrogjen. Dhe kjo është ajo që e bën këtë superjaht veçanërisht të kushtueshëm, tha Heigo Paartalu, CEO i YachtWay, për revistën Fortune.
Jahti do të ekspozohet në Monaco Yacht Show në shtator.