Tirana e volejbollit të femrave vijon përgatitjet për edicionin 2025-2026, një sezon ku vajzat bardheblu do të thirren në apel për të mbrojtur dy trofetë më të rëndësishëm kombëtar, kampionatin dhe kupën, kompeticione ku janë kampione në fuqi.
Skuadra bardheblu vijon prej javësh stërvitjen në sallën “Farie Hoti”, nën drejtimin e trajnerit Adrian Gorenca, ndërsa nuk mungojnë as goditjet në merkato. Pasi ka konfirmuar boshtin e titullit kampion, me në krye lideren Enkeleda Braho dhe liberon Eni Fagu, Tirana ka njoftuar dje një afrim të rëndësishëm të huaj. Bëhet fjalë për lojtaren nga Kazakistani, Nailya Nigmatulina. Pasuesja 28-vjeçare ka firmosur kontratën për sezonin 2025- 2026 dhe dje është prezantuar zyrtarisht në “Shtëpinë Bardheblu”.
NJOFTIMI – “Klubi i Tiranës mirëpret lojtaren e re, Nailya Nigmatulina, e cila i bashkohet skuadrës sonë si pasuese. Nigmatulina vjen nga Kazakistani dhe është pjesë e Kombëtares së Kazakistanit. Me ardhjen e saj, skuadra synon të forcojë edhe më shumë rrugëtimin drejt objektivave madhorë të klubit – mbrojtjen e titullit kampion dhe fitimin e trofeve të tjerë. Mirë se erdhe në familjen bardh e blu, Nailya!”, shkruhet në njoftimin e kampioneve të Shqipërisë.