Nga PETRIT STEFA
Pas disa ditëve nis Kampionati Europi an i moshave 16, 18 dhe 20 vjeç. Është një kampionat i përvitshëm i FIBA Europë, ku pjesëmarrja është e detyruar, madje për federatat pjesëmarrëse ka pasur (nuk e di nëse ka tani) edhe mbështetje financiare.
Ky event është cilësuar si një nga më të shkëlqyerat e FIBA-s (Europë, Azi, Afrikë), sepse është metoda më e mirë për të lexuar të ardhmen e basketbollit në këto vende. Shkurt, lexohet e tashmja duke u ballafaquar me të tjerët (sigurisht të nivelit tonë), por shihet edhe perspektiva e vazhdimësia. Njëherazi shkëmbehet eksperienca, integrimi i koncepteve të reja të lojës në basketbollin e moshave.
Në këto aktivitete marrin pjesë të gjitha shtetet e Europës, të të gjitha niveleve sportive dhe të moshave. Kampionati është i ndarë në tre divizione (A,B,C), që nënkuptojnë nivele të ndryshme sportive. Ato diktohen nga pjesëmarrja dhe arritjet në aktivitetet europiane paraardhëse (1-2 vjet më parë) duke listuar nivelin e basketbollit në këto shtete sipas këtyre rezultateve.
Është një renditje tejet e komplikuar dhe interesante ku parametrat janë: lloji i aktivitetit, pjesëmarrjet, rezultatet, diferenca e pikëve, fusha etj. Pas këtyre llogaritjeve përcaktohet nëse basketbolli në një vend europian ka “ngjitje” apo “zbritje”. Përditësimi bëhet zakonisht në çdo fund viti. Kështu, basketbolli ynë deri para disa viteve konsiderohej në “rënien” më të madhe në Europë me “-8 pikë”, kurse në dhjetor 2024 u cilësua me “0 pikë”. Të gjitha shtetet e Europës, sipas kësaj llogaritjeje të bërë për FIBA Europë, ndahen në divizionet A, B dhe C, ku në këtë të fundit, bëjnë pjesë shtetet me nivelin e basketbollit të renditur më ulët.
Divizioni C më parë quhej “Kupa Europiane e Promocionit” (ku kemi marrë pjesë edhe ne fillimisht), pastaj u quajt Kampionati Europian i vendeve të vogla, kurse tani quhet thjeshtë Kampionati Europian Divizioni C. Sepse, për hirë të së vërtetës, shumë vende të vogla kanë një basketboll të nivelit shumë të lartë deri edhe kampion europe.
Për shembull, Belgjika (femra), kampione Europe pak ditë më parë (4 milion banorë) ose Sllovenia (2,4 milion banorë). Në Kampionatin Europian të Moshave (Div.C) ne kemi vite që marrim pjesë rregullisht. Është pjesëmarrje që trainerët e moshuar tashmë (si puna ime) e kanë ëndërruar qysh në vitet 80-të dhe luheshin me një formulë eliminimi masakruese për vendet e vogla. (Për shembull Flamurtari (femra) i asaj kohe luajti me nën-kampionen e Europës në Kupën e Kampioneve.
Ne e kishim gjetur “zgjidhjen” atëherë me… mospjesëmarrje. Këto anomali sollën krijimin e divizioneve A, B dhe C, ku të vegjlit mund të “marrin frymë”. Organizimi i këtyre kampionateve në Shqipëri, sigurisht është diçka edhe më e mirë për basketbollin tonë. Matja e nivelit aktual dhe perspektiva është më e qartë. Njëherazi, kur njihet mirë se çfarë është divizioni C, evitohen edhe mburrjet e zakonshme shqiptare për “numrin e madh të kupave që kemi fituar” në këto aktivitete ku nuk marrin pjesë të gjitha shtetet europiane të divizionit A dhe B, domethënë plot 40 shtete, madje edhe ato shtete me 200 apo 700 mijë banorë.
PRA, Ç’DO TË THOTË T’I LEXOJMË DREJT KËTO AKTIVITETE?
Po të vërejmë me kujdes pjesëmarrësit, ata janë çdo vit të njëjtit, ndoshta me ndonjë përjashtim të vogël kur vjen nga divizioni B ndonjë skuadër në rinovim e sipër (si për shembull Norvegjia femra) vitin e kaluar. Te moshat U-16, U-18, zakonisht janë të njëjtit. Disa prej tyre janë thjesht skuadra shkollash (Gjibraltari, San Marino, Andorra) ose disa të tjera kanë basketboll krejt amator (stërviten 2-3 herë në javë).
Kjo do të thotë se në qoftë se ne nuk fitojmë vendin e parë (në pjesëmarrjet përkatëse (U-16, U-18, meshkuj dhe femra), kurrsesi nuk mund të quhen suksese, sepse do të vazhdojmë të luajmë në Divizionin C edhe vitin pasardhës dhe në “listim” do të klasifikohemi përsëri me “0 pikë” ose edhe më poshtë.
Kjo është e papranueshme, jo vetëm për drejtuesit, por dhe për bashkësinë e basketbollit. Vitin e kaluar, në faqen e FSHB-së në rrjetet sociale, për një fitore pa vlerë të femrave kishte 120 “like”, kur fitore e vërtetë do të ishte ajo me Norvegjinë, e cila na tejkaloi lehtësisht.
Këto radhë nuk kanë për qëllim të stigmatizojnë as FSHB-në, as trajnerët dhe domosdo as lojtarët/et. Përpjekjet e tyre të gjithë njerëzit me arsye të shëndoshë i respektojnë dhe i nderojnë, sepse të gjithë e dinë se ky është basketbolli ynë tani, i krahasueshëm me vendet europiane të renditura (sipas FIBA Europë) në vendet 40-48 nga 50 shtete me basketboll të Europës.
Këto radhë kanë për qëllim të “zbresin me këmbë në tokë” ata që përpiqen (nuk e marr dot me mend arsyen) të mashtrojnë basketbolldashësit, prindërit, shtypin etj., për nivelin e basketbollit në vendin tonë. Sepse, në fund të fundit, rrënimi i basketbollit në Shqipëri është kushtëzuar nga faktorë të tjerë shumë esencialë dhe për hir të së vërtetës, “puna e dobët e federatës” është e fundit, në mos edhe pa influencë.
Sigurisht, një federatë me filozofi tjetër drejtimi ndoshta mund ta kishte ngadalësuar “rënien”, por kurrsesi ta ndalonte atë… sipas mendimit tim. Ndryshimi i sistemit ekonomik dhe i politikave sportive përbëjnë faktorët e parë esenciale. Madje, sot pa ndihmën qeveritare (qendrore dhe sidomos vendore), ne nuk do të kemi sport fare.
Por kjo është temë tjetër. Sigurisht nuk kërkoj që ekipet e moshave të bëjnë çudira. Jo, nuk flasim për këto nivele. Por nuk mund të mashtrohemi me “tam-tame”, “like” dhe “fryrje” (çuditërisht edhe në ‘facebook’ të FSHB-së) nga shokët, miqtë, fqinjët, shokët e klasës, të lagjes etj., për fitore aspak përmbajtjesore, sepse dikur (për shembull në vitin 2002, Andora) fitonim lehtë me Luksemburgun, Maltën etj.
Prandaj objektiva të arritura, për ekipet tona duhet të quhen vetëm vendet e para në U-16 dhe U-18 për meshkuj e femra. Absolutisht, vetëm vendet e para. Nëse nuk fitojmë vendin e parë në çdo moshë atëherë kemi dështuar dhe jemi në të njëjtin nivel. Por duhet të nënvizojmë, madje të theksojmë se është tjetër, shumë tjetër gjë pjesëmarrja në U-20.
Diferencat tona në këtë nivel, ku nuk ka Divizion C janë shumë të mëdha, në meshkuj dhe në femra. Këtë e dinë shumë mirë Moja, M.Alibegaj, Dedaj etj. Por nuk e dinë mirë ata që kritikonin trajnerët. Këtë vit duhet të theksoj se nuk jam aspak i bindur se ne kemi skuadër U-20 (f+m) për të marrë pjesë në këtë aktivitet, i cili nuk është i detyrueshëm.
Këtë e them nga ajo çfarë kam parë në kampionatin tonë, që dominohet plotësisht nga lojtarët/et e huaj dhe që (me që erdhi rasti) mendoj se po e shkatërrojnë keq basketbollin tonë, kur luajnë pa kufizim, sidomos atje ku paguhen nga taksapaguesit shqiptarë.
Në U-20 nuk ka divizion C por vetëm A dhe B. Në grupin tonë ne do të kemi shumë probleme, jo vetëm nga Serbia dhe Bullgaria, por edhe nga Danimarka, e cila me vajzat ka kohë që nuk luan në Divizionin C. Trajneri Xheka, ashtu si edhe Dedaj vitin e kaluar, kanë detyrën më të vështirë se të gjithë trajnerët e tjerë.