Ndërsa të premten pritet të mbahet protesta mbarëkombëtare në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së, djali i Hashim Thaçit, Endriti ka bërë thirrje për pjesëmarrje. Ai ka shpërndarë në rrjete sociale thirrjen teksa shkruan se edhe dy ditë na ndajnë nga protesta, e cila do të nisë në orën 17:00 në Sheshin Skënderbej.
Në protestë, e cila organizohet nga kategoritë e dala nga lufta e UÇK-së dhe e cila ka për qëllim të bëjë thirrje për drejtësi për ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, do të marrë pjesë edhe kryeministri Edi Rama.
Një protestë e ngjashme u zhvillua edhe në Hagë më 14 shtator në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së të cilët po gjykohen në Dhomat e Specializuara.
Në Gjykatën Speciale në Hagë po zhvillohet procesi kryesor ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarëve Kadri Veseli e Jakup Krasniqi dhe ish-deputetit Rexhep Selimi, të akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, akuza që të katërt i kanë mohuar.