Erion Veliaj pritet të paraqitet të premten në Gjykatën Kushtetuese ku do të shqyrtohet ankimimi i tij për vendimin e marrë nga qeveria për shkarkimin e tij nga detyra si kryetar i Bashkisë së Tiranës.
Drejtoria e Burgjeve i është përgjigjur interesit të Report Tv, duke bërë me dije se nga ana e institucionit janë marrë të gjitha masat e nevojshme të parashikuara në protokollet e sigurisë, për të shoqëruar Veliajn nga paraburgimi i Durrësit drejt Gjykatës Kushtetutese. Theksohet se mbetet në vullnetin e Erion Veliajt nëse do të pranojë të marrë pjesë apo të pranojë të shoqërohet për në Gjykatën Kushtetuese ditën e premte, pra më datë 31 tetor.
Kushtetuesja më datë 9 tetor i ka dërguar shkresë Erion Veliaj në qeli, si palë në proces, duke e pyetur nëse do që të jetë i pranishëm në seancë. Ndërkohë, më datë 13 tetor kanë informuar Drejtorinë e Burgjeve “duke e vënë në dijeni për datën dhe orën e zhvillimit të seancës plenare publike, si dhe marrjen e masave për shoqërimin e Veliaj në rast se do të shprehej vullneti për marrjen pjesë personalisht në gjykim”.
Erion Veliaj ankimoi në Kushtetuese shkarkimin e tij më 25 shtator nga qeveria, pas propozimit nga Këshilli Bashkiak. Më 1 tetor, Presidenti Bajram Begaj dekretoi zgjedhjet e pjesshme edhe për Tiranën, por ky dekret u pezullua me vendim të ndërmjetëm nga gjykata Kushtetuese deri në shprehjen përfundimtare për shkarkimin e Veliajt.