Është zbardhur dhe dokumentuar ngjarja e ndodhur mbrëmjen e djeshme në zonën e Babrrusë, ku u qëllua me armë zjarri në drejtim të një servisi celularësh. Policia ka arrestuar autorin e dyshuar, një 18-vjeçar, si dhe ka sekuestruar armën e përdorur në ngjarje.
Sipas hetimeve paraprake, i dyshuari me inicialet R. M., 18 vjeç, dyshohet se pas një konflikti për motive të dobëta me pronarin e servisit, shtetasin Xh. I., ka qëlluar dy herë me armë zjarri automatike në drejtim të biznesit. Nga të shtënat janë shkaktuar vetëm dëme materiale në fasadën e jashtme dhe në ambientet e brendshme të servisit, pa persona të lënduar.
Menjëherë pas marrjes së njoftimit, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 5 organizuan operacionin policor të koduar “Zbulimi”, për identifikimin dhe kapjen e autorit. Brenda një kohe të shkurtër, policia arriti ta lokalizojë dhe ta arrestojë 18-vjeçarin, rreth 3 kilometra larg vendit të ngjarjes.
Gjatë kontrollit të zonës, uniformat blu gjetën dhe sekuestruan armën automatike të zjarrit që dyshohet se u përdor në sulm, si dhe një sasi municioni luftarak.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për vijimin e veprimeve hetimore dhe procedurale.