Nën dritat elegante të Pallatit të Brigadave, aty ku muzika, arti dhe turizmi u ndërthurën në një atmosferë magjike, u zhvillua edicioni i “TEA Awards”. Një mbrëmje gala dedikuar promovimit të Shqipërisë turistike dhe vlerësimit të atyre që kontribuojnë çdo ditë në imazhin e vendit.
Ky event shërbeu jo vetëm si një moment celebrimi për arritjet në turizëm, por edhe si një platformë prestigjioze rrjetëzimi dhe promovimi për destinacionet shqiptare, duke dëshmuar ndikimin e drejtpërdrejtë të inovacionit digjital në zhvillimin ekonomik, kulturor dhe turistik të vendit.
“TEA lindi si kalendari i eventeve turistike të Shqipërisë si një ide dhe vizion i kryeministrit Edi Rama për të krijuar një instrument modern dixhital që do të bashkonte në një platformë të vetme jetën turistike, kulturore dhe artistike të vendit”, tha Zana Cela.
“Turizmi në vetvete fillon dhe bëhet aq shumë i ndërlidhur me shumë sektorë të tjerë dhe fillon dhe bëhet shpesh kryefjalë sepse në fund të fundit bëhet fjalë për të bërë të mundur që ky vend të plotësojë këtë vlerë një vend ku jetohet bukur”, tha ministri Blendi Gonxhja.
Eventi bëri bashkë përfaqësues të institucioneve, medias, artit dhe industrisë së turizmit, ndërsa ndau 35 çmime kryesore, si edhe vlerësime për vendin e dytë dhe të tretë, bazuar në analizën e të dhënave konkrete të aplikacionit TEA.
“Kujt më mirë se Tirana mund të më binte t’i jepja një çmim, një qytet, qyteti im, qyteti ynë, kryeqyteti i të gjithëve. Shumë nga këto, le të themi kështu aktivitete të turizmit që ju keni prezantuar mbulohen mediatikisht nga Radio Televizioni Shqiptar. Kështu që ndjehem ndihem partnere me shumë nga ata që i kanë realizuar”, tha drejtoresha e RTSH-së Eni Vasili.
“TEA Awards 2026” vjen si një dëshmi e suksesit të platformës dhe aplikacionit kombëtar të turizmit TEA, ku teknologjia, kultura dhe turizmi ndërthuren për të promovuar Shqipërinë moderne dhe autentike në arenën ndërkombëtare.