Temperaturat e larta rrisin rrezikun për shëndetin, veçanërisht për të moshuarit, fëmijët dhe personat që vuajnë nga sëmundje kronike. Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale ka shpërndarë mesazhin e mjekes së Institutit të Shëndetit Publik, dr. Rudina Cumashi, e cila u bën thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes të shtuar gjatë ditëve me temperatura të larta, duke rekomanduar hidratim të vazhdueshëm, shmangie të ekspozimit në diell gjatë orëve të pikut dhe qëndrimin në ambiente të freskëta.
“Gjatë stinës së verës, temperaturat e larta përveçse janë një shqetësim për ne, ndikojnë në shëndetin tonë duke shkaktuar një sërë problemesh shëndetësore. Të gjithë jemi të rrezikuar nga temperaturat e larta, por disa grupe të popullatës janë më të ndjeshme dhe më vulnerabël ndaj ekspozimit të tyre. Në risk përmendim fëmijët e vegjël, të moshuarit, individët që jetojnë vetëm, gratë shtatzëna dhe personat që punojnë në ambiente të hapura. Duke qenë se vendi ynë po përballet me temperatura të larta, risjellim në vëmendje të gjithë popullatës, sidomos grupeve në rrezik, kujdesin që duhet të tregojnë për të shmangur pasojat shëndetësore nga i nxehti.
Disa nga këshillat kryesore janë kufizimi i daljes në orët e pikut, nga ora 11:00 deri në 18:00, si dhe qëndrimi në ambiente të freskëta dhe mbajtja e trupit të freskët. Nëse duhet të dalim, të vishemi me rroba të lehta, të mbajmë syze, kapele, çadër dhe gjithmonë të kemi me vete një shishe ujë. Gjithashtu duhet të shmangim konsumin e kafes, pijeve alkoolike dhe të gazuara. Në lidhje me ushqyerjen rekomandohen vakte të lehta me ushqime të pasura me zarzavate, si dhe konsumi i frutave. Kujdes të veçantë duhet të tregojmë edhe për fëmijët e vegjël. Nëse ushqehen vetëm me qumësht gjiri deri në 6 muaj, nuk kanë nevojë për ujë shtesë. Po ashtu, duhet treguar kujdes në përgatitjen dhe ruajtjen e ushqimeve, pasi temperaturat e larta favorizojnë prishjen e tyre dhe rrisin rrezikun për diarre, të vjella dhe helmime ushqimore“, apelon mjekja.
Dr. Cumashi këshillon njëherësh që personat që vuajnë nga diabeti, sëmundjet e zemrës apo çrregullime të shëndetit mendor të konsultohen me mjekun e familjes ose specialistin përkatës për të përballuar sa më mirë temperaturat e larta.
“Personat me sëmundje kronike duhet të konsultohen me mjekun e familjes për të përballuar sa më mirë temperaturat e larta. Në rast nevoje, qytetarët duhet të kontaktojnë Urgjencën Kombëtare në numrin 127”, apelon Cumashi.