Komuna e Tetovës ka hapur edhe një tender të ri për punësime të përkohshme, ndonëse për këtë vit ka të nënshkruar një kontratë me agjenci private në vlerë prej 34,9 milionë denarë. Emrat e të punësuarve përmes agjencionit privat mbeten ‘sekret’, kryetari i komunës Bilall Kasami thotë se nuk mund t’i publikojnë emrat e të punësuarve, dhe se të dhënat mund të merren përmes ligjit për qasje në informatat me karakter publik, shkruan Portalb.mk.
Nga viti 2022 deri në 2025, Komuna e Tetovës së bashku me ndërmarrjet publike “Tetova Transport” dhe “Sharri” kanë shpenzuar mbi 1.6 milionë euro në kontrata për punësime të përkohshme përmes Agjencisë private për punësim “Xhob 2011”.
Edhe pse janë paguar me para publike, opinioni nuk e di se ku kanë shkuar këto para.
Në ndërkohë, Komuna e Tetovës më 15 gusht 2025 ka hapur sërish tender të ri për punësime të përkohshme, thirrja publike e të cilit ka mbaruar dje (1 shtator 2025) në ora 11:00.
I pyetur se pse nuk i publikojnë emrat e të punësuarve përmes agjencionit privat, kryetari i komunës, Bilall Kasami thotë se në kuadër Ligjit për qasje deri te informatat me karakter publik mund të merren informata për çdo punëtor në Komunën e Tetovës qoftë me vendim të përhershëm apo të përkohshëm.
Megjithatë, në të kaluarën Portalb.mk i ka kërkuar këto të dhëna, por nga Komuna e Tetovës nuk janë përgjigjur.
“Gjithë ajo që është e lejuar në bazë të ligjit do të merrni si informacion”, tha Kasami.
I pyetur se pse nuk i publikojnë të dhënat, Kasami tha se nuk mund ta bëjnë një gjë të tillë.
“Nuk mund t’i publikojmë emrat e të punësuarve në komunë, pra ne publikojmë emrat e atyre të cilët janë përgjegjës të sektorëve dhe njësive të caktuara, por atë që nuk e lejon ligji për publikimin e të gjitha emrave, ne nuk mund t’i publikojmë, si gazetar mund të interesoni për çdo punëtor, se a është i punësuar, ku është i punësuar dhe a vjen në punë që ne të ju japim informata konkrete”, tha Kasami.