Lushnja dhe Bylisi barazuan pa gola në një takim miqësor të zhvilluar në stadiumin “Roza Haxhiu”. Një ndeshje e interpretuar mirë dhe me dëshirë nga të dyja skuadrat. Pas minutave të para, Lushnja kishte një mundësi të mirë në minutën e 19-të me Ololën, por ky i fundit gjuajti keq.
Në fund të pjesës së parë provoi Oliveira me një goditje dënimi, por topi përfundoi jashtë. Në pjesën e dytë zëvendësime të shumta u kryen nga të dy ekipet. Lushnja rrezikoi në minutën e 49-të, Ribaudo kroson në zonë dhe Korreshi godet me kokë nga afër, por portieri Beqaj bllokon sferën. Në minutën e 54-t, Gabriel rrëzohet në zonë dhe kërkon penallti, por gjyqtari Alla e ndëshkon me karton të verdhë për simulim. Në minutën e 67-të, Ribaudo pason bukur për Kaçanollin, por në dalje e sipër portieri Beqaj arrin ta ndalojë topin. Në minutën e 83-të, Bylisi ka rastin më të mirë të ndeshjes për të kaluar në avantazh. Rabiu depërton nga e majta dhe, me një gjysmëkthesë, godet drejt portës. Topi fillimisht përplaset në tokë, më pas prek traversën dhe përfundon jashtë. Ballshiotët kërkojnë më shumë në minutat e fundit, por goli nuk vjen. Miqësorja mbyllet me rezultatin 0-0.
Ditmar Bicaj- Trajneri i Lushnjës, Ditmar Bicaj, pas barazimit pa gola në miqësoren ndaj Bylisit për “Panorama Sport” u shpreh: “Një miqësore që na shërbeu shumë. Bylisi është një ekip i Superiores, ndaj ritmi ishte më i lartë. Mendoj se shumica e futbollistëve kanë ende shumë gjëra për të përmirësuar. Megjithatë, ky takim më ngroh, sepse pashë dhe mora sinjale shumë pozitive, sidomos në aspektin taktik. Kështu që mendoj se na ka vlejtur realisht. Tani fillojmë javën ‘anti-Korabi’. Na pret një transfertë e vështirë, ku duhet të marrim maksimumin e pikëve. Situata në skuadër është e mirë. Kemi vetëm dy shqetësime: Meta, që ka probleme me kaviljen, dhe Kamisoko me gjurin.
Pjesa tjetër e grupit është e shëndoshë. Këtë javë do të mungojë vetëm Uillfried, por në përgjithësi grupi është i plotë. Kampionati është i tillë, do të ketë dëmtime dhe mungesa nga kartonët, por unë jam i kënaqur me këtë grup. Kemi lojtarë me cilësi dhe mbi të gjitha djem shumë pozitivë. Në këtë kohë të shkurtër që jam këtu, mendoj se idetë e mia kanë filluar të përcillen dhe lojtarët po i marrin gjithnjë e më mirë, sidomos për mënyrën e të luajturit futboll. Kampionati është në një fazë interesante. Ne duhet të bëjmë maksimumin dhe të shtrëngojmë dhëmbët për të marrë sa më shumë pikë. Javë pas jave, besoj se do të vazhdojmë të rritemi në tabelën e klasifikimit.”
LUSHNJA: Haremi, Magani, Basha, Goxha, Allmuça, Kamisoko (Karafili 29’), Uillfried, Zaganjori, Olola, Canka, Eduard. (U aktivizuan: Alimuçaj, Deliaj, Korreshi, Ntephe, Arapi, Fejzaj, Kaçanolli, Ribaudo). Trajner: Ditmar Bicaj
BYLISI: Xheremi, Karmona, Abazaj, Bruno, Peralta, Përgjoni, David, Oliveira, Ualison, Runi, Kodji. (U aktivizuan: Beqaj, Gabriel, Idrisov, Sulovari, Ibrahim, Pjeshka, Malomo, Rabiu, Gjuzi, Koita, Buranelli). Trajner: Mirel Josa
Trajneri i Bylisit, Mirel Josa, për “Panorama Sport” u shpreh: “Më tepër ne zgjodhëm Lushnjën dhe Lushnja na zgjodhi ne. Për një miqësore fundjave, them se ia arriti qëllimit. Nuk shihet rezultati, por mënyra si sillen lojtarët në fushë. Në përgjithësi, jam i kënaqur, por kemi ende shumë për të bërë”, tha tekniku mallakastriot. Kampionati? Të gjitha ekipet kanë nevojë për pikë, por ne nuk shkojmë për barazime. Duhet të fitojmë që të jemi më komodë dhe të luajmë me më shumë lirshmëri. Lojtarët duhet të mendojnë për qëllimet e skuadrës dhe jo për ato individuale. Po përgatitemi për Vllazninë, si për çdo ndeshje tjetër. Duhet të përmirësohemi dhe të shmangim gabimet. Vijmë nga një humbje, ndaj duhet të jemi më solidë si skuadër.”