Tetori është caktuar si muaji i ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit në të gjithë botën, për të rritur vëmendjen dhe mbështetjen për sensibilizimin, zbulimin e hershëm, trajtimin, si dhe kujdesin paliativ të kësaj sëmundjeje.
Në kuadër të këtij, kryeministri Edi Rama u ka bërë thirrje grave dhe vajzave që të kujdesen për veten duke bërë mamografinë.
Nëpërmjet një postimi në Facebook, kreu i qeverisë u bën apel që të kryejnë kontrollet mjekësore për të parandaluar këtë sëmundje. Për të gjitha gratë dhe vajzat që ende s’kanë bërë një mamografi, tashmë atë mund ta bëjnë falas në spitalin rajonal në vendbanimin në të cilin ato jetojnë.
“Mirëmëngjes dhe me thirrjen e përvitshme në çdo TetorRozë për të gjitha gratë dhe vajzat që të marrin fare pak kohë për t’u kujdesur për veten, duke bërë mamografinë falas në rrjetin e poliklinikave dhe spitaleve rajonale në vend, ju uroj një muaj të mbarë”, shkroi kryeministri Edi Rama në rrjetet sociale.
Në mbarë botën, kanceri është një nga tre shkaqet më të shpeshta të vdekjes së parakohshme tek gratë nën moshën 70 vjeç ndaj qëllimi i kryerjes së analizave është parandalimi i hershëm i sëmundjes dhe për rritja e mundësive për një shërim të plotë të gruas.
Tetori rozë, Begaj: Parandalimi dhe diagnostikimi i hershëm i kancerit të gjirit mund të shpëtojë jetë
Presidenti Bajram Begaj ka përcjellë një mesazh ndërgjegjësimi për vajzat dhe gratë që të bëjnë kontrolle të vazhdueshme për të parandaluar kancerin e gjirit. Në një mesazh në rrjete sociale, Begaj thotë se parandalimi dhe diagnostikimi i hershëm mund të shpëtojë jetë.
“Çdo histori është unike, çdo rrugëtim ka rëndësi.
Në Muajin e Ndërgjegjësimit të Kancerit të Gjirit, inkurajojmë gratë dhe vajzat që me guxim të jashtëzakonshëm përballen me këtë sëmundje.
Parandalimi dhe diagnostikimi i hershëm shpëtojnë jetë.”, shkruan Begaj.