rimi i rrugës të shumëpërfolur ‘Boris Kidriç’ në Tetovë ende nuk ka përfunduar, ndërkaq problem mbetet pjesa te kryqëzimi me bulevardin ‘Bllagoja Toska’. Këshilltarët opozitarë kërkojnë zgjidhje urgjente, ndërsa komuna hesht, shkruan Portalb.mk.
Pjesa midis dy korsive e cila është e paraparë të jetë shëtitore nuk ka përfunduar ende.
Ndërsa pjesa më problematike mbetet pjesa te kryqëzimi me bulevardin ‘Bllkkoga Toska’ ku kryqëzimi nuk është në formë simetrike, ndërsa kalimi me raste është i vështirë, shpesh kaotik dhe i rezikshëm. Për këtë është i paraparë rrethrrotullim, por nuk dihet se kur do bëhet.
Këshilltari i pavarur nga ‘Më Mirë për Tetovën’, Agron Arifi për Portalb.mk tha se mënyra e projektimit dhe realizimit të kësaj rruge nuk i ka dhënë rezultatet e dëshiruara.
“Qytetarët dhe bizneset në atë zonë janë thellë të dëshpruar nga insistimi i autoriteteve komunale që ky projekt të vazhdojë në këtë formë. Tani gati 2 vite ata janë të lënë pa ndriçim publik, të cilën e paguajnë, kurse në këmbim marrin errësirën dhe pasigurinë. Në seancën e fundit të Këshillit, parashtrova disa pyetje për projektin në fjalë, kurse përgjigja nga kryetari Kasami ishte se për shkak të uzurpimit të hapësirave të gjelbra nga bizneset, zgjidhja e Komunës së Tetovës është betonizimi i tërësishëm dhe prerja e drunjve, që ka shkaktuar një katastrofë ekologjike”, tha Arifi.
Ai thotë se duhet marrë parasysh edhe aksidentet e komunikacionit në kryqëzimin me bulevardin Blagoja Toska, pasi punimet kanë ngecur në gjys, pa asnjë afat kohor kur do përfundojnë.
“Shpresojmë që autoritetet komunale do reflektojnë dhe do revidojnë projektin momental, duke e shpëtuar nga i njejti fat i keq pjesën e mbetur deri te Parku i Gruas”, tha Arifi.
Në ndërkohë këshilltari nga Bashkimi Demokratik për Integrim, Berat Murati thotë për Portalb.mk se kjo rrugë po shndërrohet çdo ditë një rrezik për qytetarët e Tetovës.
“Mungesa e një rrethrrotullimi funksional dhe zgjidhja e pamjaftueshme vetëm me semaforë, ku i njëri semafor është edhe padukshëm, kanë krijuar një situatë të pasigurt, ku përballen çdo ditë automjete dhe këmbësorë pa një sistem të mirëorganizuar të qarkullimit. Kjo nuk është më çështje teknike sinjalistike por është çështje sigurie publike.Në këtë segment ka frekuencë të lartë të lëvizjes dhe rreziku për aksidente është real dhe i përditshëm. Çdo vonesë në ndërhyrje është papërgjegjësi institucionale. I bëjmë thirrje urgjente Komunës së Tetovës dhe institucioneve kompetente që të rishqyrtojnë menjëherë zgjidhjen aktuale dhe nëqoftëse kanë projekt për ndërtimin e një rrethrrotullimi funksional, përse janë vonuar aq shumë”, tha Murati.
Nga Komuna e Tetovës edhe pse na thanë se do përgjigjen në pyetjet gazetareske për këtë çështje, deri në publikimin e tekstit nuk dërguan përgjigje.
Kujtojmë se pak javë më parë, kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami fajësoi kushtet klimatike për vonesat në këtë rrugë.
LEXO: Rruga ‘Boris Kidriç’ ende e papërfunduar, s’dihet kur do ndërtohet rrethrrotullimi në kryqëzimin me bulevardin ‘Bllagoja Toska’
Punimet për rikonstruimin e kësaj rruge janë zvarritur vazhdimisht dhe janë shoqëruar me shumë polemika, për të cilat Portalb.mk ka raportuar në vazhdimësi.
Kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami në programin e tij 2025-2029 premton “vazhdimin e Bulevarit Boris Kidriç nga kryqëzimi me Bulevardin Bllagoja Toska deri te Stacioni i Autobusëve”.
Rruga “Boris Kidriç” në Tetovë. Foto: Fisnik Xhelii/Portalb.mk (pjesa nga Bllagoja Toska drejt stacionit të autobusëve)
Rruga “Boris Kidriç” në Tetovë. Foto: Fisnik Xhelii/Portalb.mk (pjesa nga Bllagoja Toska drejt stacionit të autobusëve)