Aktorja Teuta Ajdini-Jegeni, një nga zërat më të fortë të teatrit dhe filmit shqiptar në Maqedoninë e Veriut dhe jo vetëm, pas më shumë se katër dekadash në skenë, shpërblehet me çmimin “11 Tetori”. Në një bisedë për Portalb.mk, ajo rrëfeu detaje nga ky rrugëtim i saj, nga arti si mënyrë jetese, sakrificat e heshtura dhe sfidat e një gruaje që e ka jetuar çdo rol me shpirt, jo vetëm si profesion, por edhe si mision.
Çmimi “11 Tetori” po ju ndahet pas dekadash në skenë, a e ndjeni si të vonuar, apo arti juaj është vlerësuar gjithmonë në kohë?
Teuta Ajdini-Jegeni: Nuk mund të them që është vonuar, erdhi në kohën e duhur, sepse një artisti i duhet kohë për t’i dhënë publikut vlera një kohë më të gjatë dhe ta meritojë sinqerisht, për të mos i dhënë hapësirë të gjykohet. Profesioni im si aktore është profesion i cili bëhet për artdashësit dhe është gjithçka transparente përballë sy me sy me publikun, dhe kam ndjesinë se gjithmonë është vlerësuar.
Ky është një nga dekoratat më të larta shtetërore, çfarë peshe ka për ju ky vlerësim?
Teuta Ajdini-Jegeni: Pikërisht, prandaj edhe ndjehem e lumtur për këtë çmim. Vetë çmimi ka peshë dhe shumë përgjegjësi për mua. Aktrimi si profesion nuk ka moshë të limituar, vullneti dhe dëshira për të qenë prezentë në skenë për mua gjithnjë edhe më shumë shtohet, prandaj them se edhe përgjegjësia rritet me angazhimet e mija duke qenë e vlerësuar me këtë çmim shtetërorë.
A mendoni se ky vlerësim është rezultat i kontributit tuaj të gjatë, apo pasqyrë e një ndryshimi shoqëror ndaj artistëve shqiptarë?
Teuta Ajdini-Jegeni: Mendoj edhe vlerësimi im për një kontribut të gjatë në teatër, është pasqyrë e një ndryshimi ndaj artistëve shqiptar…. Prandaj këtë çmim u‘a dedikoj të gjithë artistëve shqiptar të cilët e kanë merituar dhe nuk kanë arritur që ta marrin.
Çfarë sakrificash të dhimbshme keni bërë për artin, që publiku ndoshta nuk i di?
Teuta Ajdini-Jegeni: Për të arritur sukses, çdo profesion kërkon sakrificë, por arti ka një lloj tjetër sakrifice e cila përballohet duke jetuar për profesion, duke jetësuar me qindra personazhe të cilat jetojnë gjatë të ngulitura brenda nesh… Sidoqoftë është i bukur ballafaqimi me artin. Do doja të përmendi një batutë të shkrimtarit tonë të madh Yeki Dervishi i cili thotë “Arti ti prish dhëmbë e dhëmballë”.
Nga dhjetëra rolet e luajtura, a ka pasur ndonjë që keni refuzuar sepse nuk jeni pajtuar me personazhin?
Teuta Ajdini-Jegeni: Më ka ndodhur ndoshta ndonjëherë, jo të refuzoj por disi të shmangem dhe të mos e marr rolin, por shumë rrallë. Unë jam një nga aktoret që çdo roli mundohem ti japi diçka ndryshe, sigurisht në konsultim me regjisorin. Personazhet e ndryshme të japin mundësi të ndryshme për ti jetësuar ata. Çdo rol të pasuron me një përvojë të re jetësore dhe ky reprocitet që merr dhe i jep rolit ose personazhit me saktë, e bënë të veçantë dhe unik rolin. Detyra ime si aktore është ti japish jetë e vërtetësi rolit për të arritur e depërtuar deri te publiku.
Cili rol ju ka ndikuar më shumë edhe në jetën personale?
Teuta Ajdini-Jegeni: Çdo rol ndikon në jetën personale, por jo në atë masë që ta çrregulloj jetën personale, kjo më së shumti ndikon gjatë përgatitjes të projektit kur fillon të mëshirohesh me rolin. Aktori duhet të dijë ta bëjë dallimin mes rolit dhe jetës private përndryshe nuk do mund të jetë i gatshëm për rolet e tjera që vinë në karrierë në të ardhmen ….çdo rol len një shenjë tek ne, por kjo të pasuron edhe si artist edhe si njeri.
Ju shpesh keni mishëruar gra të forta, sa përqind është roli dhe sa përqind është vetë Teuta në ato skena?
Teuta Ajdini-Jegeni: Kur bën analizën e rolit në fillim të projektit dhe merr indikacionet e regjisorit, duhet të marrësh drejtimin dhe rrugëtimin i cili kërkohet nga ty. Prandaj gjithçka që është në mundësinë tuaj t’ia japish rolit nga vetja për të mundur roli të jetë i saktë dhe i qëlluar në kërkesat për të kontribuar për partnerin dhe shfaqjen në përgjithësi. Roli mishërohet dhe jetësohet nga aktori për të qenë e vërtetë në momentin e duhur dhe për të depërtuar deri te publiku.
Si e shihni rolin e gruas artiste shqiptare në një sistem kulturor ku shpesh vendosin të tjerët?
Teuta Ajdini-Jegeni: Si gjithçka tjetër që funksionon në shoqërinë tonë për të depërtuar gruaja ashtu edhe gruaja artiste e ka të vështirë, bile edhe më vështirë se një profesion tjetër, por ky profesion shoqërohet me një dashuri të madhe dhe kjo është ndihmesa për të përballuar çdo sfidë që të del përpara. Ne gratë jemi qenie luftarake e ë guximshme për të ndryshuar gjërat, dhe kështu do të vazhdojmë derisa nuk e shohim ndryshimin në kulturën shqiptare dhe në shoqërinë në përgjithësi. Duhet kuptuar se kultura duhet përkrahur nga të gjithë, se ne si komb do na kushtojë shumë shtrenjtë!
Fotografi nga arkivi personal i aktores Teuta Ajdini-Jegeni. Foto: Teuta Ajdini-Jegeni
Fotografi nga arkivi personal i aktores Teuta Ajdini-Jegeni. Foto: Teuta Ajdini-Jegeni
Portalb.mk: A ndjeni se kultura shqiptare në Maqedoninë e Veriut është mjaftueshëm e mbrojtur apo e lënë anash?
Teuta Ajdini-Jegeni: Kultura Shqiptare në Maqedoninë e Veriut aspak nuk është e mbrojtur dhe me shumë të drejtë mund të them se gjithnjë e më shumë ngecen. Duhet përkrahur shumë më shumë se tani e dekada me parë. Do të citoj një regjisor të madh slloven i cili thotë: “Kultura është shumë e lirë, po populli i pa kulturuar kushton shumë shtrenjtë që ka çmim të paimagjinueshëm”.
Pas gjithë këtyre përvojave, cili është mesazhi juaj për publikun dhe për gjeneratat e reja?
Teuta Ajdini-Jegeni: Mesazhi im: Publik i dashur! Një biletë në teatër është shumë e lirë në krahasim me kënaqësitë dhe mesazhet që do marrësh nga një shfaqje” EJANI NË TEATËR.