Stadiumi ‘Niko Dovana’ në Durrës dhe zona përreth pritet t’i nënshtrohet një transformimi të thellë. Klubi i Teutës mbetet pa stadium për një kohë të pacaktuar dhe një vendim i tillë vjen pasi Edmond Hasanbelliu u largua nga posti i presidentit të klubit pas 26 vitesh.
VKM/ Korporata e Investimeve Shqiptare autorizohet për rijetëzimin e stadiumit ‘Niko Dovana’ në Durrës
Teuta pa president dhe pa stadium, larg ‘Niko Dovanës’ pas vendimit te qeverisëProjekti për stadiumin e ri ‘Niko Dovana’ dhe zonat rrotull impiantit
DURRËS – Stadiumi “Niko Dovana” në Durrës pritet t’i nënshtrohet një transformimi të thellë, pas miratimit nga Këshilli i Ministrave të një vendimi për kalimin e pronave shtetërore në administrim të Korporatës së Investimeve Shqiptare (KISH), për realizimin e projektit “Rijetësimi i stadiumit ‘Niko Dovana’”.
Sipas vendimit, KISH do të ketë rolin e zhvilluesit të pronës publike dhe do të jetë e autorizuar të hapë garën për përzgjedhjen e partnerit privat, si dhe të negociojë kontratat për realizimin e projekti. Përpos ndërtimit dhe rikonstruksionit të impiantit, projekti përfshin edhe zhvillimin e zonës përreth stadiumit, përmes ndërhyrjeve të koordinuara me institucionet e planifikimit të territorit.
Një pikë kyçe e vendimit është edhe mundësia e prishjes së objekteve ekzistuese në pronat përfshira në projekt, për t’u hapur rrugë ndërtimeve të reja që synojnë t’i japin një frymë të re kësaj zone strategjike të qytetit bregdetar.
Brenda 30 ditësh, KISH dhe institucionet përkatëse do të lidhin marrëveshje bashkëpunimi për përcaktimin e standardeve dhe kushteve të projektit, ndërkohë që shfuqizohet vendimi i mëparshëm që ngarkonte Fondin Shqiptar të Zhvillimit si autoritet kontraktor për zhvillimin e zonës.
Në zbatimin e projektit do të përfshihen Bashkia Durrës, Federata Shqiptare e Futbollit, Ministria e Arsimit dhe Sportit, Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar, Agjencia Shtetërore e Kadastrës dhe vetë Korporata e Investimeve Shqiptare.
Vendimi hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren Zyrtare”, duke hapur zyrtarisht rrugën për një nga projektet më të rëndësishme të infrastrukturës sportive në vend.
Një vendim i tillë vjen vetëm pak ditë pasi Edmond Hasanbelliu dha dorëheqjen nga posti i presidentit të Teutës, ekip në të cilin ka investuar për 26 vite. Në këto kushte, Teuta mbetet pa president dhe tanimë pa stadium për një kohë të pacaktuar, duke luajtur larg Durrësit.
Stadiumi ‘Niko Dovana’ në Durrës