Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, kanë publikuar transkriptin e seancës së 27 marsit 2025, në të cilën Hashim Thaçi kishte ngritur shqetësimet e tij lidhur me praninë e një prokurori, i cili më parë kishte punuar në Njësinë e Parbaurgimit në Hagë. Sipas transkriptit, Thaçi kishte përmendur se prokurori John Devaney, atëherë pjesë e stafit të Qendrës së Paraburgimit, i kishte kërcënuar dhe cenuar fizikisht.
Përveç kësaj, Thaçi kishte thënë se ky person njëherë ishte prezantuar si roje, më pas hetues në Qendrën e Paraburgim, shef e zëvendësshef i asaj qendre, raporton “Betimi për Drejtësi“.
“U befasova vërtetë sot kur pashë përballë nesh zotërinë në fjalë. Nuk ia di emrin, por kjo nuk ka rëndësi. Kur na sollën këtu në qendrën e paraburgimit, ai u prezantua si roje, pastaj si hetues në qendrën e paraburgimit, më pas si zëvendësshef i kësaj qendre, dhe nganjëherë edhe si shef i qendrës së paraburgimit. Dhe ka fakte dhe dëshmitarë që vërtetojnë atë që po them. I nderuar, zotëria në fjalë – sot Prokuror; dje roje burgu – ka kryer [E REDAKTUAR] [E REDAKTUAR] [E REDAKTUAR]. Dhe ne, të akuzuarit në procesin numër 6, nuk përdorim as cigare. Ai personalisht e ka bërë, ky Prokuror aktual, [E REDAKTUAR] [E REDAKTUAR] mekanizma në këtë qendër paraburgimi. [E REDAKTUAR] [E REDAKTUAR] Në raste të caktuara, i nderuar dhe Paneli juaj, ai ka cenuar fizikisht dhe kërcënuar. Ky prokuror, nga praktika që ka përdorur, [E REDAKTUAR)”, thuhet në transkriptë.
Përveç kësaj, Thaçi kishte thënë se dëshiron që fjalën e tij ta bëjë në seancë publike. Theksoi se Specialja është Gjykatë e Kosovës.
“Kjo Gjykatë është një gjykatë e Kosovës. Ajo është themeluar nga Kuvendi i saj për të punuar mbi bazën e ligjeve të saj kushtetuese, dhe unë besoj se kjo do të jetë deri në fund të procesit. Megjithatë, problemet që kemi pasur gjatë këtyre katër viteve e gjysmë, gjatë kësaj periudhe, dhe meqë e shoh këtë prokuror para nesh, unë dua të shpreh shqetësimet e mia që ju si trup gjykues dhe ju si kryetar i trupit gjykues të jeni në dijeni”, kishte thënë Thaçi.
Përveç kësaj, Thaçi kishte thënë se nuk ndihen as të respektuar ligjërisht dhe as njerëzisht kur sheh dikë që deri dje ishte roje burgu, ndërsa tani prokuror.
“Dhe, së treti, i nderuar, dhe Panel i nderuar, zotëria ka [E REDAKTUAR] [E REDAKTUAR] me avokatët tanë. Dhe unë jam vërtet, siç thashë, i befasuar që e shoh këtë zotëri këtu sot. Ndoshta ai ka kaluar një procedurë të veçantë të promovimit, por unë nuk ndihem rehat, dhe ne nuk ndihemi të respektuar – as ligjërisht e as njerëzisht – kur shohim dikë që dje ishte roje e sot është Prokuror në Dhomat e Specializuara të Kosovës. Ndoshta ai ka kaluar një proces shumë të shpejtë. Nuk e di këtë. Por thjesht doja të thosha – të shpreh habinë time. Dhe ju falënderoj që më dhatë këtë mundësi”, kishte thënë Thaçi.
Gjatë kësaj seance, Thaçi ishte i pranishëm përmes video-lidhjes por gjatë pushimit kishte telefonuar avokatin e tij për ta njoftuar panelin se dëshironte që të fliste.
Avokati Luka Mishetiq kishte thënë se nuk i di detajet, por bëhej fjalë për prokurorin që ka punuar në Njësinë e Paraburgimit dhe mund të ketë pasur qasje në informacione për të cilat Thaçi beson se nuk duhej të kishte qasje.
Se kishte punuar në Njësinë e Paraburgimit më parë, e kishte pranuar edhe prokurori Devaney, por tha se punësimi i tij atje kishte përfunduar në fund të 2022-ës.
Ndërkohë, më 15 prill 2025, Prokuroria ka njoftuar se ka përfunduar paraqitjen e provave në këtë rast.
Ndërsa, mbrojtja kishte bërë kërkesë sipas Rregullës 130, e cila parasheh kërkesën për rrëzimin e ndonjë akuze apo akuzave në tërësi në aktakuzë. Vendimi mbi këtë kërkesë ishte marrë më 16 korrik 2025. Sipas kryetarit të trupit gjykues, Charles Smith III, ajo që kishte kërkuar mbrojtja ishte mosmbështetja në pretendime për krime lufte që kanë të bëjnë me incidente që kanë ndodhur para majit të 1998-ës dhe pas 20 qershorit të 1999-ës.
“Trupi gjykues vëren se incidentet dhe ngjarjet që kanë ndodhur në kohën që kundërshtohen prej mbrojtjes nuk janë akuza brenda kuptimit të Rregullës 130”, tha kryetari i trupit gjykues, Charles Smith III.
Si rrjedhojë, ishte rrëzuar ky mocion me arsyetimin se trupi gjykues s’e ka autoritetin për të rrëzuar materiale që përbëjnë akuzat që kanë të bëjnë me shkaqe kohore. Ndërsa, po të njëjtën ditë, mbrojtja e viktimave kishte paraqitur provat e veta duke thirrur dy dëshmitare eksperte për të dëshmuar njëkohësisht.
Përveç që dëshmuan më 16 korrik 2025, dëshmia e këtyre dy dëshmitareve vazhdoi edhe më 17 korrik 2025, duke përfunduar kështu edhe marrja e dëshmive të dëshmitarëve të mbrojtjes së viktimave.
Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020.