Hidrocentralet në vend prodhuan më pak energji në gjysmën e parë të këtij viti. Sipas të dhënave të INSTAT, nga janari deri në qershor u prodhuan afro 4 mijë gigavat orë energji, ose 7.2% më pak se vjet. Mungesa e prodhimit vendas është mbuluar me energji importi.
***
Me një sistem që ende në pjesën dërrmuese varet nga burimet hidrike, thatësira ka ndikuar në mënyrë të dukshme në prodhimin e energjisë. Nga 4.3 mijë gigavat në gjashtë muajt e parë të vitit të kaluar, në 2025, hidrocentralet private e publike dhe parqet e energjisë së rinovueshme, gjeneruan 329 gigavat më pak.
Rënia erdhi nga tkurrja e prodhimit nga hidrocentralet, si rezultat i mungesës së reshjeve, ndërkohë që parqet fotovoltaike dhe ato eolike përfituan. Prej tyre u prodhuan 465 gigavat orë energji, nga 195 gigavat vjet.
Rënia e prodhimit vendas u kompensua nga importet. Brenda këtyre gjashtë muajve janë blerë gati 1.5 mijë gigavat orë energji elektrike bazuar në shifrat e INSTAT, nga 1.1 mijë giga të importuara vjet në të njëjtën periudhë.
KESH ka nisur të blejë që në nisje të vitit, dhe sipas të dhënave të ankandeve, deri më tani janë shpenzuar 156.5 milionë euro për blerje energjie.
Importi i energjisë është rritur me 3.2 herë në raport me vjet, kur deri në gusht 2024 importi ishte 48.8 milionë euro.
Ndërsa prodhimi ka rënë, konsumi është rritur. Vetëm në tremujorin e dytë thotë INSTAT, konsumatorët familjarë e shtuan konsumin e energjisë me 10.2%, ndërsa bizneset ishin më të kursyer pasi harxhuan 3% më pak energji se e njëjta periudhë vjet.
Ditët e nxehta të verës e rritën më tej konsumin. Vetëm në korrik, thotë Ministria e Energjisë, konsumi është rritur me 30%, ku rol veç temperaturave ka edhe sezoni turistik.