Në një artikull të publikuar në Times of Israel, Miriam Blum, këshilltare politike në Telaviv, komenton vizitën të kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama në Izrael dhe fjalimin e tij në Knesset duke e cilësuar “një paraqitje me peshë historike dhe simbolike.”
“Udhëheqësi i një vendi me shumicë myslimane që flet para organit ligjvënës të Izraelit është një moment i rrallë, i bërë edhe më domethënës nga pjesëmarrja e tij në konferencën ndërkombëtare për luftën kundër antisemitizmit, e organizuar nga Ministri për Çështjet e Diasporës, Amichai Chikli” shkruan ajo.
Në letër, sipas saj, Izraeli dhe Shqipëria duken si një ‘çift i pamundur’. Njëri është një shtet i Lindjes së Mesme që përballet me kërcënime nga të gjitha anët, ndërsa modernizon rajonin; tjetri, një vend i vogël ballkanik me një të kaluar komplekse dhe një të tashme që po modernizohet me shpejtësi. Megjithatë, në praktikë, marrëdhënia e këtyre dy vendeve nuk mbështetet në leverdi të përkohshme, por në vlera të përbashkëta, qartësi morale, qëndrueshmëri dhe instinkt për të qëndruar në anën e duhur të historisë.
Ky themel, sipas sja, u hodh gjatë kapitullit më të errët të njerëzimit. Gjatë Holokaustit, Shqipëria ishte i vetmi vend europian që doli nga lufta me më shumë hebrenj sesa kishte para saj.
Familjet shqiptare myslimane, të udhëhequra nga Besa, një kod i lashtë shqiptar nderi që nënkupton një premtim të shenjtë për të mbrojtur të tjerët, fshehën hebrenj, falsifikuan dokumente dhe rrezikuan jetën e tyre pa kurrfarë hezitimi.
Duke cituar Yad Vashem, Blum nënvizon faktin se shqiptarët strehuan rreth 2,000 refugjatë hebrenj gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe dhjetëra prej tyre janë nderuar me dekorimin “Të Drejtë midis Kombeve”. Për shqiptarët, shpëtimi i hebrenjve nuk ishte akt heroizmi; ishte një detyrim moral.
Kjo ndjenjë përgjegjësie e shqiptarëve nuk përfundoi me luftën, thotë Blum. Shqipëria, sipas saj, ishte ndër vendet e para që njohu Shtetin e Izraelit në vitin 1949 dhe ruajti marrëdhënie diplomatike edhe në periudha kur kjo kishte kosto politike. Për Izraelin, një shtet i ndërtuar nga të mbijetuarit dhe i mbajtur gjallë nga kujtesa, një vazhdimësi e tillë ka rëndësi të madhe.
Në ditët e sotme, ky mirëbesim historik është shndërruar në bashkëpunim konkret. Izraeli dhe Shqipëria kanë marrëdhënie të forta diplomatike dhe bashkëpunojnë në teknologji, siguri kibernetike, bujqësi, energji dhe turizëm. Kur Shqipëria u godit nga tërmeti shkatërrues i vitit 2019, Izraeli ishte ndër vendet e para që ofroi ndihmë, duke dërguar ekipe shpëtimi dhe asistencë humanitare në një moment krize kombëtare. Vendimi i Shqipërisë në vitin 2021 për të hapur ambasadën e saj në Jerusalem nuk ishte thjesht simbolik; ai pasqyroi një marrëdhënie të ndërtuar mbi reciprocitet, besim dhe koherencë morale brenda një kornize europiane dhe të orientuar drejt NATO-s.
Shqipëria, thotë Blum, i ofron Izraelit diçka gjithnjë e më të rrallë në diplomacinë ndërkombëtare: një partner europian me shumicë myslimane që kombinon kredibilitet moral me përfaqësim pragmatik ndërkombëtar. Sipas Blum, Shqipëria i siguron Izraelit mirëkuptim diplomatik në Ballkan, një urë drejt audiencave myslimane të moderuara dhe një zë të besueshëm në forume ndërkombëtare që nuk është automatikisht armiqësor ndaj Izraelit.
“Mundësia tani është që kjo marrëdhënie të ngrihet në një nivel më të lartë. Kryeministri Benjamin Netanyahu mund t’i forcojë lidhjet duke e shndërruar Shqipërinë nga një aleat i qetë në një partner strategjik të dukshëm, duke zgjeruar bashkëpunimin ekonomik dhe të sigurisë, duke rritur shkëmbimet në nivele të larta dhe duke investuar në nisma kulturore e arsimore që ruajnë kujtesën historike të përbashkët. Pozicionimi i Shqipërisë si model i marrëdhënieve konstruktive myslimano-hebraike do t’i shërbente jo vetëm interesave dypalëshe, por edhe pozicionit diplomatik më të gjerë të Izraelit” shkruan ajo.
Blum argumenton se në një kohë kur miqësitë diplomatike janë të brishta dhe gjithnjë e më transaksionale, marrëdhënia Izrael–Shqipëri është e veçantë. Ajo është e qëndrueshme, e udhëhequr nga vlera dhe rezistente, dhe ka ende potencial të madh për t’u zhvilluar më tej.