Prej gjashtë ditësh nuk dihet asgjë për fatin e Eglant Koçit, 34-vjeçarin nga Tirana, zhdukja e të cilit po hetohet nga policia si një rast i mundshëm pengmarrjeje. Hetimet e deritanishme kanë ngritur dyshime të forta se pas ngjarjes qëndron 41-vjeçari Armand Shakaj, i shpallur në kërkim, ndërsa si bashkëpunëtor i dyshuar është arrestuar 25-vjeçari Enea Zyferi.
Sipas hetuesve, Zyferi, i cili punonte si kamerier në lokalin në pronësi të Shakajt, dyshohet se ka ndihmuar autorin e dyshuar gjatë kryerjes së veprimeve që lidhen me zhdukjen e 34-vjeçarit.
Gjatë hetimeve, policia ka arritur të lokalizojë motorin e Eglant Koçit, si dhe ambientin ku dyshohet se ai është mbajtur kundër vullnetit të tij. Për shkak të hetimeve në vijim, vendndodhja e këtij ambienti nuk është bërë publike. Nga pamjet e kamerave të sigurisë rezulton se nga ky vend është larguar me automjet Armand Shakaj, ndërsa ekzistojnë dyshime se në makinë ndodhej edhe 34-vjeçari.
Automjeti i dyshuar është gjetur dhe sekuestruar si provë materiale. Burime pranë hetimit bëjnë me dije se në të janë konstatuar njolla gjaku, megjithatë ende nuk ka një konfirmim mbi lidhjen e tyre me personin e zhdukur. Kontrollet janë shtrirë në zona të ndryshme të periferisë së Tiranës, përfshirë Dajtin dhe segmentet drejt Elbasanit, por deri tani nuk është gjetur asnjë gjurmë e Koçit.
Sipas hetimeve, Eglant Koçi është parë për herë të fundit më 4 qershor në zonën pranë sheshit “Willson”, teksa lëvizte me motorin e tij me targë “CT969”. Kamerat e sigurisë kanë dokumentuar disa prej lëvizjeve të tij në kryeqytet përpara zhdukjes.
34-vjeçari nuk rezulton me precedentë penalë dhe motivet e mundshme të ngjarjes mbeten ende të paqarta. Ai ishte i punësuar në një biznes mobilierie, ndërsa hetuesit po verifikojnë edhe pistën e mundshme të përfshirjes së tij në aktivitete që lidhen me tregtinë e kriptovalutave.
Policia, në njoftimin zyrtar, deklaroi:
> “Nga tërësia e veprimeve hetimore të kryera deri në këtë fazë është bërë e mundur gjetja e motomjetit të 34-vjeçarit, identifikimi dhe kontrolli i ambientit ku është futur 34-vjeçari, ambient nga i cili më pas ka dalë autori i dyshuar dhe mund të ketë marrë me vete, me automjet, 34-vjeçarin. Është ushtruar kontroll i imtësishëm në ambientin e dyshuar, ku dyshohet se mbahej peng 34-vjeçari, si dhe në shumë ambiente të tjera dhe në terren, por deri tani nuk është bërë e mundur gjetja e 34-vjeçarit.
> Po nga veprimet hetimore ka rezultuar gjithashtu se autori i dyshuar ka larguar motomjetin e 34-vjeçarit nga vendi ku ishte parkuar fillimisht. Automjeti me të cilin dyshohet se është transportuar 34-vjeçari, është gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale. Gjithashtu, është arrestuar në flagrancë shtetasi E. Z., 25 vjeç, i dyshuar për veprën penale ‘Përkrahja e autorit të krimit’, pasi dyshohet se ka ndihmuar 41-vjeçarin në këtë rast. Shërbimet e Policisë po vijojnë intensivisht kërkimet për gjetjen e shtetasit E. K.”
Ndërkohë, 25-vjeçari i arrestuar nuk ka dhënë deri tani informacione që mund të ndihmojnë hetimin, megjithëse dyshohet se ka qenë në shoqërinë e punëdhënësit të tij gjatë kohës kur 34-vjeçari mbahej peng. Hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe gjetjen e Eglant Koçit.