Tiranë – Pesëmbëdhjetë administratorë lavazhesh në kryeqytet do të hetohen në gjendje të lirë pasi shkarkonin ujëra të toksikuar me solucione për pastrim mjetesh në rrugë dhe në hapësira publike.
Ndaj tyre rëndon vepra penale “Ndotja e ajrit, e ujërave dhe e tokës”.
Sipas njoftimit të bluve, bëhet me dije se aktiviteti i tyre është bllokuar deri në marrjen e lejes mjedisore.
Mjetet që përdoreshin në lavazhe u sekuestrua si provë materiale.
Ndërkohë me qëllim ekzaminimin kimik, u morën mostra të solucioneve të përdorura për pastrimin e automjeteve.
“Gjatë verifikimeve të kryera me objektiv parandalimin, evidentimin dhe ndëshkimin e krimeve kundër mjedisit, që gjithashtu rrezikojnë shëndetin e qytetarëve, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 2 konstatuan se 15 lavazhe në territorin në juridiksion të këtij komisariati keqmenaxhonin shkarkimin e ujërave të toksikuar nga solucionet e pastrimit, duke i derdhur ato në rrugë dhe në hapësira publike.
Për këtë paligjshmëri, u referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për 15 administratorët e këtyre subjekteve, konkretisht shtetasit: G. C., S. P., P. K., A. T., N. S., A. M., A. D., S. F., Sh. R., A. D., M. H., B. Sh. K. Xh., O. H dhe A. Xh., për veprën penale “Ndotja e ajrit, e ujërave dhe e tokës”.
Gjithashtu, shërbimet e Policisë iu kanë dërguar shkresa institucioneve kompetente, për marrjen e masave administrative të nevojshme”, njoftoi sot policia.
Ndërkohë gjatë këtij operacioni në pranga ka rënë edhe një 24-vjeçar. I riu (administrator) u kap pasi blutë konstantuan se po vazhdonin punimet për ndërtimin e një objekti (për biznes) në zonën “Don Bosko”, punime të cilat ishin ndërprerë më parë, për shkak se ishte evidentuar se kryheshin pa leje.
“Më tej, gjatë patrullimeve me këtë fokus, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 3 kanë konstatuar se vazhdonin punime për ndërtimin e një objekti (për biznes) në zonën “Don Bosko”, punime të cilat ishin ndërprerë më parë, për shkak se ishte evidentuar se kryheshin pa leje. Në vijim të veprimeve procedurale për rastin u arrestua në flagrancë, për veprën penale “Ndërtimi i paligjshëm”, admnistratori i aktivitetit, shtetasi B. Ll., 24 vjeç, i cili ishte proceduar më parë, për të njëjtën vepër dhe për të njëjtin rast”, thuhet më tej në njoftim.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.