Një 38-vjeçare është arrestuar nga policia e Tiranës, pasi administronte një dyqan ku tregtonte veshje me logo të markave të shtrenjta, të dyshuara si të falsifikuara, pa lëshuar fatura shitjeje.
Pas kontrolleve të kryera, uniformat blu sekuestruan në dyqanin në rrugën ‘Demokracia’, Babrru, veshje me vlerë rreth 40 000 euro.
“Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare, në vijim të kontrolleve dhe verifikimeve, me qëllim konstatimin e subjekteve që zhvillojnë aktivitetin e tyre, në informalitet, duke shmangur detyrimet tatimore, finalizuan operacionin e koduar “Etiketa 1”, gjatë të cilit u zbulua në këtë paligjshmëri, një dyqan në rrugën “Demokracia”, Babrru.
Në kuadër të operacionit u arrestua administratorja e dyqanit, shtetasja E. N., 38 vjeçe, banuese në Babrru.
Gjatë kontrolleve në këtë subjekt, u gjetën veshje të ndryshme me logo të markave ndërkombëtare, të dyshuara false, me vlerë rreth 40 000 euro, pa fatura mbi origjinën e tyre”, njoftoi sot policia.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.