SPAK ka dërguar për gjykim në Gjykatën e Posaçme dosjen hetimore ndaj grupit të strukturuar kriminal me përbërje Adulla Hoxhaj, Almir Gjidiaj, Admir Tutaj, Alban Gjidiaj, Rifat Avdiaj dhe Bojken Turtulli, të akuzuar për trafik armësh drejt Mbretërisë së Bashkuar.
Tre prej tyre: Adulla Hoxhaj, Bojken Turtulli dhe Rifat Avdiaj, janë në paraburgim prej 1 gushtit 2024, pasi u arrestuan në kuadër të operacionit “Inkorporimi”, ndërsa 3 të tjerët janë ende në kërkim nga shteti shqiptar.
Krahas akuzave që rëndojnë mbi të 6 emrat e mësipërm, në njoftimin e SPAK sqarohet edhe struktura e këtij grupi kriminal. Hetimet e kryera kanë evidentuar se grup i strukturuar kriminal operonte i ndarë në dy nëngrupe që vepronin përkatësisht në Shqipëri dhe Mbretërinë e Bashkuar
Nëngrupi që vepronte në Shqipëri përbëhej nga Adulla Hoxhaj, drejtues dhe pjesëmarrës Rifat Hoxhajn, Bojken Turtulli dhe Franko Gjalpi. Nëngrupi që vepronte në Mbretërinë e Bashkuar përbëhej nga Almir Gjidiaj, drejtues, dhe pjesëmarrës Admir Tutaj e Alban Gjidiaj.
Në 3 raste, policia shqiptare ka arritur t’i zbulojë dhe sekuestrojë këtij grupi të strukturuar kriminal, një numër të lartë armësh, parash dhe sende të tjera të jashtëligjshme, ose që përdoreshin për veprimtari të jashtëligjshme.