Këngëtari i operës Riste Velkov dhe djali i tij, Adam, janë në mjet të viktimave të aksidentit tragjik që ndodhi gjatë natës në rrugën qarkore të Shkupit. Sipas informacioneve jozyrtare, automjeti po drejtohej nga Riste, ndërsa djali i tij Adami ishte student i vitit të dytë në fakultetin FINKI. Bashkë me ta në makinë ndodheshin edhe dy persona të tjerë, njëri prej të cilëve është 20-vjeçari me iniciale P.M., ndërsa identiteti i personit të dytë është ende duke u konfirmuar.
Burime jozyrtare për “Skopje1” bëjnë me dije se organet e hetuesisë kanë konstatuar se kamioni ka goditur direkt automjetin e tyre pa frenuar fare. Si pasojë e përplasjes, makina e tipit “BMW” është përfshirë nga flakët, ndërsa kamioni ka dalë jashtë rrugës.
Tragjedia ka ndodhur midis mbikalimit të Vizbegut dhe nyjës së Mirkocit, kur një automjet transportues (kamion) me targa të Kosovës ka çarë rrethimin mbrojtës, ka kaluar në korsinë e kundërt dhe është përplasur kokë më kokë me makinën “BMW”.
Pas goditjes ka shpërthyer një zjarri i fuqishëm dhe makina është djegur plotësisht. Nga ky aksident kanë mbetur të vdekur katër persona.
Sipas informacioneve nga Ministria e Punëve të Brendshme (MPB), jetën e kanë humbur shoferi R.V. (51 vjeç), dy pasagjerë të moshës 20-vjeçare dhe një person tjetër, identiteti i të cilit fillimisht nuk ishte përcaktuar. Më vonë u konfirmua se në mesin e viktimave ishin artisti i operës Riste Velkov dhe djali i tij Adami.
Shoferi i kamionit, një shtetas 76-vjeçar nga Kosova, është shoqëruar në polici, ndërsa hetimet për zbardhjen e plotë të shkaqeve të aksidentit janë në vijim e sipër.