Trajneri i ri i KF Tiranës, Ardian Nuhiu ka debutuar me humbje te 26 herë kampionët e Shqipërisë. Bardheblutë u mposhtën 0-2 nga Bylisi në “Selman Stërmasi” duke i vënë ‘kapak’ një sezoni që i sheh në vendin e parafundit dhe rrezikojnë seriozisht që edicionin e ri të luajnë në Kategorinë e Parë.
Ndeshja nisi më mirë për miqtë, që rrezikuan disa herë para se Arli Përgjoni të përfitonte nga një gabim i kapitenit Dembele dhe i vetëm përballë Tafas nuk mund të gabonte duke i dhënë epërsinë ballshiotëve. Edhe pas golit të pësuar Tirana nuk “u zgjua” dhe rrezikoi që të pësonte sërish gol, por Tafas ndali mirë këtë herë Përgjonin.
Pjesa e parë u mbyll me këto shifra dhe kur pritej që Tirana të reagonte, sërish një gabim në prapavijë dhe mosmarrëveshja mes Veras dhe Tafas bëri që Bylisi të gjente golin e dytë.
Tirana pëson humbjen e tretë radhazi dhe me vetëm gjashtë pikë mban vendin e parafundit në renditje. Nga ana tjetër Bylis gjen fitoren e dytë radhazi dhe ngjitet në kuotën e 12 pikëve për vendin e gjashtë momental.
Ndeshja e radhës për Tiranën është kundër Vorës, ndërsa Bylis luan kundër Flamurtarit.
Superliga, raundi 10-të:
E hënë, 03 nëntor 2025
14:00 Tirana 0-2 Bylis
17:00 Dinamo – Teuta
17:00 Flamurtari – AF Elbasani