Këshilli i Lartë i Prokurorisë (KLP) hap sot zyrtarisht garën për drejtuesin e ri të Strukturës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK).
Bazuar në ligj, gara është hapur 3 muaj përpara përfundimit të mandatit të kryeprokurorit Altin Dumani i cili është zgjedhur për të qenë në krye të Prokurorisë së Posaçme më 16 dhjetor 2022.
Sakaq, ditën e sotme në mbledhjen e trupës së KLP-së, do të marrin pjesë dhe përfaqësuese të Ambasadës Amerikane.
Dumani është drejtuesi i dytë i Prokurorisë së Posaçme që u zgjodh pas përfundimit të mandatit të Arben Krajës, i cili ishte i pari pas krijimit të prokurorisë së posaçme. Pas lënies së këtij posti ai do të ushtrojë detyrën si prokuror i posaçëm i kësaj strukture deri në përfundimit të mandatit 9 vjeçar.
Arben Kraja u zgjodh si drejtuesi i parë i SPAK në dhjetor të vitit 2019 ndërsa Altin Dumanit në dhjetor 2022. Dumani e mori drejtimin në një moment kur pritshmëritë e publikut ishin rritur ndjeshëm dhe presioni ndërkombëtar për rezultate konkrete ndaj korrupsionit në nivelet e larta ishte më i fortë se kurrë.
Zgjedhja e tij u bë nën monitorimin e ndërkombëtareve dhe kryesisht të ish ambasadores amerikane Yuri Kim e cila mbahet mend për paraqitjen dhe qëndrimin në sallë pikërisht në momentin e votimit dhe deri në numërimin e votave të kandidatëve.
Por mesa duke edhe procesi i zgjedhjes së drejtuesit të ri do të ketë të njëjtën vëmendje. Pak ditë me parë e ngarkuara me punë e SHBA në Tiranë, Nancy VanHorn, tha se “Procesi i përzgjedhjes së pasardhësit së Dumanit duhet të jetë i paanshëm, transparent dhe i lirë nga çdo ndikim i jashtëm dhe se partnerët ndërkombëtarë do ta ndjekin nga afër këtë proces, sepse janë të interesuar që Shqipëria të vazhdojë luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar”.
Drejtuesi i ri i Prokurorisë së Posaçme do të zgjidhet mes prokurorëve të SPAK për një mandat 3-vjeçar pa të drejtë rikandidimi. Zgjedhja bëhet me shumicë të thjeshtë votash nga 11 anëtarët e Këshillit të Lartë të Prokurorisë.
Hapja e garës për drejtuesin e SPAK, përfaqësues të Ambasadës Amerikane mbërrijnë në mbledhjen e KLP-së
Përfaqësues të Ambasadës Amerikane në Shqipëri kanë mbërritur sot në ambientet e Këshillit të Lartë të Prokurorisë (KLP) në mbledhjen që zhvillohet sot në hapje të garës për drejtuesin e ri të Strukturës së Posaçme Antikorrupsion (SPAK).