Këtu çdo ditë është ndryshe, nuk e dimë se çfarë na pret kur të vijmë në punë – a do ketë tërmet apo jo, apo nëse ajo që e kemi planifikuar ta bëjmë për atë ditë do të ndryshojë apo jo. Мatja e tërmeteve është rutinore, por asgjë tjetër nuk është. Të përcaktosh se nga erdhi, çfarë ka ndodhur, çfarë është zhvendosur, a ka ndikuar kjo gjë tek objektet apo jo. Kështu e përshkruan hulumtuesi i ri, Ljupço Jovanov, punën e tij në Laboratorin Seizmologjik në Fakultetin e Shkencave Matematiko – Natyrore (FShMN) në Shkup, shkruan Radio Evropa e Lirë, transmeton Portalb.mk.
Gjatë pandemisë së Covid-19 ai nuk pati sukses të gjejë një punë si i diplomuar në fizikë forenzike, kështu që e shfrytëzoi rastin për tu riorientuar. Sot, ai është magjistër i fizikës dhe është një nga vetëm tre studiuesit e rinj në Observatorin Sizmologjik. Krahas tyre atje punojnë edhe tre doktorë shkencash – seizmologë.
Nevoja për punonjës profesional si këta shkencëtarë të rinj dhe seizmologë me përvojë ka qenë një sfidë për vite me radhë, por tani në Observatorin Seizmologjik është ngritur një alarm tjetër. Në fillim të vitit 2026 këta punonjës që për momentin punojnë atje mund të mos jenë në gjendje ta bëjnë matjen e tërmeteve sepse 13 stacione seizmologjike në të gjithë vendin do të mbeten pa pajisje.
Ky institucion është i vetmi në Maqedoninë e Veriut që është përgjegjës dhe i autorizuar për mirëmbajtjen e rrjetit seizmik, për monitorimin dhe analizimin e aktivitetit seizmik, për vlerësimin e rreziqeve seizmike, për azhurnimin e hartës se rionizimit të tërmeteve dhe për kryerjen e shkëmbimit ndërkombëtar të të dhënave, theksoi udhëheqësja e tij, profesoresha Katerina Drogreshka, në një bisedë me Radion Evropa e Lirë.
Përveç kësaj, situata do të ishte e pavolitshme edhe nga aspekti i ndërtimeve dhe i rreziqeve ndaj sigurisë së qytetarëve.
“Të dhënat nga ndjekja e aktivitetit seizmik të marra nga stacionet seizmologjike dhe përpunimi i tyre arkivohen dhe përcillen tek institucionet pasuese me qëllim përmirësimin e vazhdueshëm të hartave të rrezikut që përdorurën në ndërtimtari, etj”, shton Drogreshka.
Pse vendi rrezikon të mbetet pa rrjet telemetrik?
Në fillim të vitit 2026 në Maqedoninë e Veriut përfundon nisma ndërkombëtare trevjeçare për ndjekjen e lëvizjes së mikropllakës së Adriatikut – AdriaArray. Ky projekt zbatohet nga organizata ORFEUS (Observatories and Research Facilities for European Seismology), misioni i së cilës është promovimi i seizmologjisë në zonën evropiane-mesdhetare.
Në kuadër të këtij projekti në Maqedoninë e Veriut janë pajisur 13 stacione seizmologjike për monitorimin e tërmeteve, pra aktivitetit seizmik në të gjithë vendin, në rajonet kufitare etj.
Dhe pikërisht këto 13 stacione për momentin e përbëjnë rrjetin telemetrik të Observatorit Seizmologjik, thotë udhëheqësja Drogreshka.
Përfundimi i projektit nënkupton edhe tërheqjen e pajisjeve.
Pajisja e 10 stacioneve kushton sa shpenzimet rrugore të deputetëve për një vit.
Për të tejkaluar këtë situatë, Laboratori Seizmologjik do të ketë nevojë për pajisje të reja.
“Porositja dhe instalimi i një stacioni seizmologjik të kompletuar kushton rreth 30.000 euro. Për mbulimin e plotë të vendit nevojiten 10 stacione seizmologjike. Ne kemi mbështetje nga Fakulteti i Shkencave Matematiko-Natyrore, por fakulteti nuk mund t’i sigurojë këto stacione”, thotë udhëheqësja Drogreshka.
Sipas këtyre përllogaritjeve për pajisjen e 10 stacioneve seizmologjike nevojiten rreth 300.000 euro. Kaq, për shembull, është shuma e parave nga buxheti i shtetit e ndarë për shpenzimet rrugore të deputetëve të Kuvendit të Maqedonisë nga muaji maj i vitit 2024 deri në muajin qershor të vitit 2025.
Për një shumë më të lartë – mbi 400.000 euro, Qeveria aktuale nënshkroi një kontratë për zhvillimin e softuerit për vlerësimin dhe kontrollin e ndikimit të medias, ndërsa qeveria e mëparshme shpenzoi mbi 380.000 euro për një panair njëditor “Ushqim dhe Verë” në vitin 2022.
Por, në Observatorin Seizmologjik për vite me radhë nuk janë bërë investime serioze, theksojnë burime të brendshme.
“Problemi është se ne që nga koha e RSFJ-së nuk kemi arritur të investojmë seriozisht në këtë punë”, tha për Radion Evropa e Lirë dekani i Fakultetit të Shkencave Matematiko-Natyrore në Shkup, Profesor Davorin Trpeski.
FShMN nuk ka mjaftueshëm para, Qeveria njofton për ndihmë
Sipas përllogaritjeve të Trpeskit për dhjetëra stacione nevojiten 300-400.000 euro. Pajisja e tyre, sipas Trpeskit, do nënkuptonte zgjidhje të problemit për 10-15 vitet e ardhshme, kur do duhej të mendohej përsëri për stacione të reja ose modernizimin e stacioneve ekzistuese.
“FShMN nuk i ka këto para. Observatori Seizmologjik është me interes strategjik shtetëror dhe për këto arsye shteti duhet të ndihmojë. Fakulteti paguan për mirëmbajtjen e stacioneve, Observatorit, softuerit dhe mbulon disa investime më të vogla. Por ne nuk kemi 400.000 euro për të financuar pajisjen e stacioneve”, thotë Trpeski.
Ai thekson se Ministria e Arsimit dhe Shkencës dhe institucione të tjera kompetente janë të vetëdijshme për problemin dhe thotë se kanë gjetur “njëfarë mirëkuptimi” nga ajo anë dhe po “japin një fije shprese” për sigurimin e fondeve.
Мinistrja e arsimit dhe shkencës, Vesna Janevska pak kohë më parë doli me pritshmëri optimiste se Observatori Seizmologjik do mund të sigurojë një pjesë të pajisjeve përmes një projekti me të cilin kishte aplikuar në thirrjen për projekte hulumtuese shkencore të shpallur nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës, pra Qeveria.
“Sipas informacionit që po marr nga komisioni, ka shumë mundësi që ata [Observatori Sizmologjik në FShMN] ta fitojnë këtë projekt, i cili do të sigurojë një pjesë të mjeteve për blerjen e një numri të caktuar instrumentesh. Nëse është kështu, ne do të mbulojmë diçka pak nga pak, ndërsa pastaj do të vazhdojmë të zgjidhim problemin që e konsideroj urgjent dhe shumë të rëndësishëm”, theksoi Janevska më 5 gusht.
Megjithatë, nga Qeveria për REL thonë se nëse projekti nuk pranohet, ata së bashku me Ministrinë do të kërkojnë fonde për të ndihmuar në përmirësimin e gjendjes.
“Sigurisht, meqenëse janë pjesë e Universitetit “Sh. Kirili dhe Metodi”, mund dhe duhet që edhe Universiteti të japë kontributin e tij”, shtojnë nga Qeveria.
Problemi me kuadrot e reja do të mbetet
Por, edhe sikur të tejkalohej ky “problem urgjent” me pajisjet – siç e quajti Janevska, sërish do të mbetet problemi i vjetër me mungesën e kuadrove.
Nga Qeveria, duke akuzuar garniturën e mëparshme në pushtet për “shkatërrim të institucioneve”, thonë se janë në komunikim të vazhdueshëm me universitetet dhe do të përpiqen gjejnë kuadro edhe në seizmologji.
Kuadrot për këtë fushë studiojnë në programet studimore për fizikë, konkretisht gjeofizikë dhe meteorologji. Por, fizika në përgjithësi nuk ka qenë tërheqëse për të rinjtë për vite me radhë.
Hulumtuesi i ri Ljupço Jordanov sheh disa arsye – nga kompleksiteti i shkencës, te angazhimi që kërkohet gjatë studimeve dhe atraktiviteti i programeve studimore.
“Por të gjithë jemi të vetëdijshëm se në vendin tonë nuk kemi ndonjë zgjedhje të veçantë për vende pune me diplomë në fizikë. Mendoj se kjo është arsyeja kryesore”, thotë Jordanov.
Por, Dekani i FShMN-së thekson se fizika “nuk është joatraktive vetëm në vendin tonë”.
“Kolegët nga fusha e fizikës thonë se kjo nuk është një karakteristikë vetëm e Maqedonisë dhe e Ballkanit, por në përgjithësi nuk ka shumë interes për të në të gjithë Evropën, ndërsa shumë vende më të pasura ndajnë fonde shtesë për t’i stimuluar studentët”, thotë Taleski.
Në të pesë programet e studimit të fizikës, siç thekson ai, vitin e kaluar janë regjistruar vetëm 14 studentë. Por një problem edhe më i madh është se ata që janë regjistruar largohen jashtë vendit dhe këta zakonisht janë studentët më të mirë të gjeneratës së tyre.
“Unë vetë jam dëshmitar se vitet e fundit janë larguar pesë ose gjashtë studentë të shkëlqyer, të cilët duhet t’i kishim mbajtur këtu, si asistentë dhe më pas si profesorë, që të kontribuonin në Universitet dhe në fakultet. Nuk kemi nevojë për zgjidhje fushatash, të thonë ja ku janë pesë vende pune për fizicientë. Na jepni një ose dy tani, të tjerat në vitet në vijim, në faza në mënyrë që të mund t’i mbajmë më të mirët”, thekson Taleski.
Për vitin akademik 2025/2026 ka vende për 90 studentë të rinj në gjithsej gjashtë programe fizike në Fakultetin e Shkencave Matematiko – Natyrore në Shkup, nga të cilat 20 janë për gjeofizikë dhe meteorologji. Ka tre afate regjistrimi. I pari është më 19 dhe 20 gusht. Por, nga FShMN thonë se ata tashmë e dinë se nuk do të plotësohen.
Mosmonitorimi i aktivitetit sizmik mund të shkaktojë një situatë të pakëndshme në vend për sa i përket ndërtesave dhe rreziqeve për sigurinë e qytetarëve, theksoi ditë më parë drejtuesja e Observatorit, një institucion i themeluar në vitin 1957 dhe i vendosur në shpatet e Vodnos.