Presidenti amerikan Donald Trump përshëndeti sulmin e befasishëm me dron të Ukrainës kundër bazave ajrore strategjike ruse gjatë fundjavës, të cilin e cilësoi – privatisht – si “i fuqishëm” dhe “i tmerrshëm” (“badass”), raporton Axios.
“Ne duam që kjo luftë të përfundojë. Duam një de-eskalim. Pra, nëse Putin reagon në mënyrë të pakontrollueshme, po, presidenti do të shqetësohet,” deklaron një burim për Axios.
Sipas Axios, Trump frikësohet se ky sulm i befasishëm, i zhvilluar mijëra kilometra larg Ukrainës, do të dobësojë përpjekjet amerikane për të arritur një armëpushim në Luftën në Ukrainë.
Ukrainasit sulmuan me dronë – të fshehur në ndarje të rreme, brenda çative të kamionëve, të futur ilegalisht në Rusi – flotën e bombarduesve rusë strategjikë me rreze të gjatë veprimi, avionë me katër motorë me helikë që kanë lëshuar qindra raketa kundër Kievit dhe qyteteve të mëdha ukrainase në më shumë se tre vjetët e fundit.
Disa nga bazat e shënjestruara ndodhen mbi 4,000 kilometra larg Kievit.
Rreth 40 bombardues u goditën në këtë operacion të marrë përsipër nga Kievi.
“Nga pikëpamja ndërkombëtare, ke një qenush tip ‘chihuahua’ që po i bën dëme reale një qeni shumë më të madh,” deklaron një këshilltar i Donald Trump për Axios.
“Sulmi me dron nuk e befasoi, sepse kjo është ajo që ndodh kur lufta vazhdon, por ai frikësohet se kjo mund të zgjasë luftimet. Ai dëshiron që luftimet të përfundojnë dhe është i zhgënjyer sa herë që ndodh një sulm i tillë,” deklaron zyrtari amerikan për Axios, duke iu referuar banorit të Shtëpisë së Bardhë.
Presidenti rus Vladimir Putin deklaroi, në një takim të transmetuar nga televizionet ruse dhe ukrainase, se këto sulme rrezikojnë çdo mundësi armëpushimi ose çdo takim të ardhshëm me homologun e tij ukrainas Volodymyr Zelensky.